Lajme

Shala: Gjykatat s’kanë as letra, Qeveria po e këqyr sistemin e drejtësisë me një sy tjetër

07/04/2024 18:15
nga:G B

Albert Zogaj është rizgjedhur kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) pa kundërshtarë në procesin e votimit.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka vlerësuar punën e Zogajt, duke theksuar rekrutimin e shumë gjyqtarëve të rinj, gjë që sipas tij është një nevojë e madhe për sistemin gjyqësor.

“Atë që shumë pak e kanë bërë paraardhësit që kanë qenë në Këshillin Gjyqësor, ky e ka zhvilluar procedurën për rekrutimin e shumë gjyqtarëve që ka qenë mangësi e madhe dhe mungesë e madhe e gjyqësorit tonë. Andaj, punën më të madhe që e ka bërë është që ka rekrut shumë gjyqtarë të rinj”, ka thënë Shala.

Megjithatë, Shala ka theksuar mungesën e sallave gjyqësore, mjeteve bazike si letra dhe karrige, dhe buxhetin e ulët si probleme të mëdha që prekin sistemin gjyqësor.

“E pret shumë punë, ka shumë të meta në sistemin gjyqësor dhe ato të meta janë teknike. Shumica e gjyqtarëve gjykohen nëpër zyre e jo nëpër salla për shkak të mungesës së sallave. Nuk ka as letër, nuk kanë karrige, kështu që i mbetet të punojë shumë me ekzekutivin dhe se ky ekzekutiv duhet të rrisë buxhetin në sistemin gjyqësor në atë mënyrë që të plotësohen bile kushtet minimale”, ka theksuar ai.

Shala gjithashtu kritikoi ekzekutivin për uljen e buxhetit të sistemit gjyqësor, duke thënë se kjo tregon një qëndrim tjetër nga ana e tyre.

“Buxheti i sistemit gjyqësor është më i vogël sesa vitin e kaluar. Kjo tregon se ekzekutivi është duke e këqyr punën e sistemit gjyqësor pak më një sy tjetër…, andaj vet fakti që kemi më pak buxhet se vitin e kaluar tregon punën e ekzekutivit ndaj sistemit gjyqësor”, ka thënë Shala.

Në lidhje me kthimin e besimit në sistemin gjyqësor, Shala ka thënë se kjo do të arrihet vetëm kur ekzekutivi dhe politika të mos ndërhyjnë në vendimet gjyqësore.