PSD-ja e sheh çështjen e urës së Ibrit si të gjitha çështjet e tjera.
Kështu të paktën u shpreh për GazetaBlic, Azdren Shala nga kjo parti i cili tha se krejt këto veprime po bëhen për konsum elektoral nga ana e kryeministrit Kurti.
Shala thotë se, Partia Socialdemokrate qysh nga fillimi ka thënë se ky problem zgjidhet me marrëveshje politike të përgjithshme në Bruksel.
“Për PSD-në, edhe çështja e Ibrit, sikur te gjitha çështjet tjera, është veprim për konsum elektoral nga ana e Kurtit. Që nga fillimi, ne kemi thënë se ky problem nuk zgjidhet me përdorim të forcës dhe njëanshëm, por vetem përmes një marrëveshje politike të përgjithshme në Bruksel”, tha Shala.
Tutje, Shala potencon se fati i urës së Ibrit do të jetë si i çështjes së dinarit, si i barrikadave dhe si i kryetarëve të komunave në veri.
“Që nga barikadat, te kryetarët e komunave në veri, çështja e dinarit dhe së fundi hapja e urës, pavarësisht veprimeve kryeneçe të Kurtit, ato janë kthyer në Bruksel si problematika. Kështu do të jetë edhe fati i Urës së Ibrit”, tha Shala.
Sipas Shalës, kryeministri Kurti duke u munduar të krijojë bindje që Kosova po shënon fitore karshi Serbisë, po bëhet e kundërta.
“Krejt çfarë ka bërë Kurti deri më sot ka qenë aranzhimi në mënyrë të veçantë i secilës çështje për ta krijuar bindjen që Kosova po shënon fitore karshi Serbisë, por e vërteta është që fitoren e madhe po e merr pikërisht Serbia me autonominë e katër komunave veriore. Këtë marrëveshje Kurti e ka pranuar nê Bruksel dhe Ohër”, tha Shala për GazetaBlic.