Gazetare e pavarur: Mihane Hoxha
Teksa po afrohet fillimi i vitit të ri shkollor, për shumë nxënës të Kosovës, e veçanërisht për ata të Veriut, karshi shumë sfidave njëra nga sfidat që vazhdon të mbetët edhe më tej është mungesa e transportit. Atyre, iu duhen shumë kilometra për të ecur në këmbë për t’i vijuar mësimet në Mitrovicë të Jugut.
A. Tahiri i cili jeton në Lagjen e Boshnjakëve në Veri të vendit, përkundër temperaturave të larta nuk e fshehë gëzimin që vajzën e tij të vogël po e dërgon për ta regjistruar në parashkollore.
“Kam dy fëmijë – dy vajza. Vajza e madhe ka përfunduar klasën e katërt, ndërsa tani jemi duke shkuar në Jug për ta regjistruar në parashkollore edhe vajzën e vogël”, është shprehur i emocionuar Tahiri, teksa mbante për dore vajzën e vogël dhe në krahun e tij të djathtë i mbante çantën e saj.
Tutje, Tahiri, ka përmendur faktin që ekziston shkolla shqipe me katër klasë në Kodrën e Minatorëve, mirëpo për rrethana të njohura më e përshtatshme për ta është që fëmijët ti shkollojnë në Jug, duke treguar që kohët e fundit Veriu po boshatiset nga shqiptarët.
“Banojmë këtu në Lagjen e Boshnjakëve, kemi shumë shqiptarë por nuk kemi qysh kemi pas përpara. Pra, përpara kemi pas më së shumti 80%, tani jemi diku 20% shqiptarë. Popullata shqiptare është pakësuar”, ka theksuar Tahiri për gazetën Blic.
Gjithashtu, Tahiri, ka kujtuar edhe kohën kur në Veri u mbyllën shkollat, shkaku i protestave të serbëve si revoltë për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në atë pjesë e të cilët ishin zgjedhur përmes zgjedhjeve demokratike.

“Kur janë mbyllur shkollat në pjesën Veriore, nuk është puna që janë mbyllë veç shkollat, zyrtarët serbë janë tërhjek edhe prej komunës, janë tërhjek edhe prej policisë d.m.th. i kanë zhveshë uniformat edhe tash me situatën që ka ardhë kohë pas kohe, janë duke i bashkëngjitë ata policë që thonë një fjalë: prindërit janë dal fëmijët i kanë punësuar. Tani situata po e bën të vetën”, ka përfunduar Tahiri.
Ndërsa, për qytetaren serbe Laziq Slavica nga Zveçani, e cila është nënë e dy fëmijëve ka treguar se njëri djalë i saj tashmë ka përfunduar shkollimin në Medicinë, kurse djali tjetër është në vitin e fundit në Shkollën Teknike, në Veri. Ajo, për gazetën Blic, ka theksuar që shkollat duhen të hapen me 1 shtator sepse nuk ka asnjë arsye për të mbetur fëmijët jashtë bankave shkollore.
“Edhe shkolla kur punon nuk punohet aq shumë. Të gjithë kemi dëshirë të hapen shkollat, fëmijët mezi presin të hapen shkollat. Do Zoti e bëhet mirë për të gjithë popullin pavarësisht a është serbë apo shqiptarë. Kushdo që dëshiron me jetu në Kosovë, mundet me jetu mirë”, ka thënë ndër të tjerash Slavica.
Kurse, për prezencën e KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, në Veri dhe afër shkollave, Laziq Slavica e konsideron si diçka normale dhe rithekson se me shqiptarët nuk kanë asnjë problem.
“Ne kurrë nuk jemi ikur dhe as nuk na pengojnë forcat e rendit, nëpër oborrin tim kanë hy policia i kemi pritë mirë kurrë problem s’kemi pas. Fëmijët po jetojnë të sigurt edhe ma mirë kalojnë me shqiptarë sesa me ku me ditë kënd tjetër. Fëmijët e mijë nuk m’i nguc askush e kalojmë mirë me shqiptarë, kemi raporte të mira, si me policinë si me të gjithë”, ka përfunduar Slavica.
Mungesa (sigurimi) e transportit për nxënësit – barrë për familjarët apo obligim institucional?
Në një prononcim për gazetën Blic, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kanë theksuar se jo vetëm për familjet e Veriut të vendit, mirëpo edhe për shumë e shumë familje në tërë Kosovën, po krijohen vështirësi në shkollimin e fëmijëve të tyre, sidomos në ato raste kur ka mungesë transporti dhe janë të detyruar që të bëjnë shumë kilometra në këmbë.
“E drejta për arsim është e drejtë themelore dhe veçanërisht arsimi fillor i cili është dhe obligativ. Fatkeqësisht, në shumë pjesë të Kosovës shumë familje janë të detyruara që shumë kilometra rrugë t’i bëjnë në këmbë për të realizuar të drejtën për shkollim. E drejta në arsim përfshinë edhe qasjen në institucionet shkollore, prandaj kjo dukuri duhet të ndërprehet dhe të ndryshohet. Ecjet e gjata jo vetëm në temperatura të larta por edhe në ato ekstreme të ulëta vështirëson e në shumë raste dhe pamundëson vijimin e mësimit”, thuhet në përgjigjen e KMDLNj-së për gazetën Blic.

Sipas, KMDLNj-së të gjitha komunat, përkatësisht drejtoritë e arsimit do të duhej që të kenë një pasqyrë të qartë të afërsisë së shkollave për të gjithë nxënësit dhe në këtë kontekst do të duhej të organizojë/sigurojë transport dhe siguri për të gjithë fëmijët/nxënësit. Kjo nënkupton që shpenzimet për transportin duhet të mbulohen nga komunat përkatëse.
“KMDLNj vlerëson se për të gjithë nxënësit duhet të ofrohen të gjitha kushtet dhe parakushtet për të realizuar të drejtën e tyre për arsimim dhe shkollim, sikur që duhet të kenë transport të sigurt, arsim cilësor dhe mundësi të barabarta pa dallime etnike, racore, fetare, sociale, etj.”, kanë thënë nga KMDLNj.
E në lidhje me këtë nuk kanë kthyer përgjigje as Drejtoria e Arsimit në Mitrovicën e Jugut, por as Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
(Pa) siguria në shkollat e Veriut
Në një prononcim për gazetën Blic, Zyra për Shtyp dhe Informim Publik e misionit EULEX në Kosovë, kanë bërë të ditur se Policia e Kosovës është përgjegjëse për ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e sigurisë në mbarë Kosovën si reaguesi i parë i sigurisë.
“EULEX-i si reaguesi i dytë i sigurisë përmes Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë është i gatshëm që ta mbështesë Policinë e Kosovës, nëse kjo kërkohet, në mënyrë që të kontribuojë në ruajtjen dhe promovimin e rendit dhe sigurisë publike”, kanë thënë nga EULEX.
Tutje, kanë përsëritur se, “Ne vazhdojmë të jemi vigjilentë dhe po i monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet që ndikojnë në siguri në veri të Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, kanë përfunduar në përgjigjen e tyre Zyra për Shtyp dhe Informim Publik e EULEX-it.
Në anën tjetër Policia e Kosovës, janë zotuar se në çdo fillim të vitit të ri shkollor lanson fushata vetëdijesuese si për shoferët ashtu edhe për nxënësit, sidomos për ata që për herë të parë fillojnë shkollën.

“Këto fushata lansohen në bashkëpunim me të gjitha komunat e Kosovës, Ministritë përkatëse, Policia në Bashkësi, mediat apo dhe OJQ-të e ndryshme. Edhe në këtë vit janë të planifikuara të gjitha aktivitetet e përbashkëta në ndërmarrjen e masave për një siguri më të madhe në trafikun rrugor”, kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës, për gazetën Blic.
Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bazë të raportimeve nga komunat, numri i përgjithshëm i nxënësve në klasat 1-9 në Republikën e Kosovës është 227,984 nxënës. Janë 128,205 nxënësit filloristë (klasa 1-5), për të cilët Qeveria në total do të ndajë nga 80 euro – 50 euro për tekstet shkollore dhe 30 euro për mjetet mësimore. Ndërsa janë 99,779 nxënësit e arsimit në nivelin e mesëm të ulët (klasat 6-9) për të cilët Qeveria do të ndaj 30€ për mjetet mësimore.


