Pritjet e qytetarëve për të marrë shërbime në klinikat e QKUK-së nuk munguan as në vitin që e lamë pas.
Pacientët kanë pritur me javë e më muaj të tërë për të kryer ndonjërin nga shërbimet mjekësore.
Por këto nuk ishin të vetmet probleme brenda sistemit shëndetësor.
“Kanë vazhdu me qenë ato që kanë qenë edhe viteve paraprake, si mungesa e barnave disa shërbimeve të caktuara, kostoja e shërbimit shëndetësor edhe për këto ne vazhdimisht kemi pranuar ankesa. Ka pasur një rritje të buxhetit për shëndetësi e cila është reflektuar edhe në blerjen e pak më shumë barnave, megjithatë është një pjesë e barnave që nuk është përmbushur ende”, tha Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës.
Sfiduese mungesa e barnave esenciale ishte edhe për stafin mjekësor në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
“Lista esenciale është listë e cila furnizohet prej Ministrisë së Shëndetësisë dhe furnizohen te gjitha qytetet e Kosovës jo vetëm kryeqyteti, para këtij viti furnizimet janë bërë në baza mujore kurse tani i kemi në katër periudha dmth është në katër mujor. Nëse e nxjerrim përqindjen e furnizimit me barna del diku 45% derisa ka qenë 70% me material shpenzues që dmth që është përmirësuar në këtë vit furnizim me materiale shpenzues kurse për barna mbetet më u dëshiru”, tha drejtori i QKMF-së, Bujar Gashi.
E për këto të fundit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në muajin dhjetor bëri të ditur se janë shtuar 7 produkte.
“Kam nënshkruar përditësimin e fundit të listës esenciale të produkteve mjekësore dhe materialit shpenzues shtuan: 7 produkte të reja bashkëkohore për trajtimin e kancerit të gjirit dhe melanomës, kancerit agresiv të lëkurës. U shtua – Materiali shpenzues për shërbimin e ri të STROKE, i cili shpëton jetën e pacientëve me sulm në tru dhe dëmtime të enëve të gjakut në tru. Këto arritje u mundësuan falë buxhetit prej 70 milionë euro për barnat esenciale”, ka deklaruar Vitia.
Por ky nuk është telashi i vetëm kur flitet për barnat.
Tëvë 1 kishte hulumtuar se si barnatoret në vend nuk e kishin problem të shesin anti- biotik pa udhëzim te mjekut.
Por fundi i vitit 2024 shënoi një hap të rëndësishëm sa i përket çmimeve të produkteve mjekësore në vend.
Ministri Vitia nënshkroi listën finale të branave që do të jenë me çmim të unifikuar.
Kështu,mbi 2 mijë e 900 produkte medicinale do të mund të blihen me çmim të njëjtë kudo në Kosovë.
“Jam shumë i lumtur sot të ndaj me ju një arritje, shumë të rëndësishme në shëndetësin Kosovare, jetësimin e ligjit për çmimet e unifikuara të barnave në vendin tonë”, pati deklaruar Vitia.
Në fund të mandatit të tij, Vitia përuroi Shërbimin e Frytnimit të Asistuar Mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë.
Ky shërbim u tha se do të jetë falas për dy herët e para, ndërsa pas tyre do të kushtojë 670 euro./teve1/