Showtime

Sfidat dhe rëndësia e edukimit nutricional në Kosovë – flet farmacistja nga Vlora, Irena Bano

03/15/2024 09:00
nga:N K

Një histori e dashurisë për një vend të ri, me të cilin e njohu profesioni është ajo e Irena Banos, një farmaciste nga Vlora, që prej 17 vjetësh jeton dhe punon në Kosovë.

Sesi kishte ardhur në Kosovë, Bano tregon për aventurën e saj profesionale dhe për rrugën sfiduese në fushën e saj.

“Unë jam nga Vlora, por kam zënë zemrën në Kosovë prej 17 vitesh. Kam ardhur këtu për një projekt të shkurtër, por dashuria për këtë vend më ka mbajtur këtu për kaq shumë vite dhe dua të qëndroj gjithmonë”, ka thënë Bano për emisionin “Reload”.

Kosova, sipas saj, një shtet i ri në fazën e ndërtimit, përballon sfida të mëdha në fushën e shëndetësisë dhe të farmacisë.

“Kosova është shtet i ri dhe është akoma në fazë ndërtimi, dhe ka shumë të për t’u bërë, por dua të them që farmacistët janë njerëz që punojnë jashtëzakonisht shumë dhe janë shumë të informuar. Asnjëri nuk mund të bëjë kompromis me shëndetin, ndoshta bëjnë kompromis duke mos pasur telefonin e tipit të fundit, por kur vjen puna tek kurimi kërkojnë barin e kohëve të fundit, kërkojnë zgjidhjen më të mirë terapeutike secili për vete apo familjarin e vet”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo ka thënë se farmacistët lokalë nuk pengohen nga këto sfida.

“Farmacistët e Kosovës, duke marrë parasysh që jetojnë në vend të vogël, i vë në vështirësi shumë të mëdha, sepse duke qenë vend i vogël ka shumë kompani prestigjioze evropiane multinacionale, që refuzojnë që të vijnë në një vend me 2 milionë banorë, në fund është biznes dhe kompanitë e mëdha e shikojnë në bazë të tregut”, ka deklaruar Bano.

Ajo ka theksuar se ka abuzime me shitjen e barnave pa recetë të mjekut, por ka shtuar se tashmë njerëzit janë bërë vetë të vetëdijshëm.

Përveç kësaj, Bano bën të ditur se një pjesë e barnave mund të jepen edhe pa recetë, por këtu është rëndësia e edukimit të pacientëve për përdorimin e sigurt të tyre.

“Është e vërtetë që abuzohet dhe shitet ende pa recetë të mjekut. Sepse vendi është akoma në fazë të rregullimit, akoma është fazë që nuk e kemi 100 për qind sistemin të lidhur mirë që të mos lejohet siç ndodh në vende tjera. Ndodh edhe në Shqipëri më pak, ndodh në vendet tjera të rajonit, sepse kanë më shumë kontroll. Mendoj që njerëzit tash janë bërë të vetëdijshëm edhe vetë tani, që para se të marrin një antibiotik kërkojnë një mendim të mjekut. Pastaj ekzistojnë një kategori barnash që vetë farmacisti mund të ta japi”, ka deklaruar ajo.

Përmes përvojës së saj dhe angazhimit të vazhdueshëm në fushën e farmacisë, Irena Bano tregon se edukimi nutricional dhe ndërgjegjësimi i pacientëve janë thelbësore për të siguruar kujdesin më të mirë shëndetësor për komunitetin./Dukagjini/