Sergio Ramos u largua nga PSG si lojtar i lirë. Mbrojtësi spanjoll shprehu dëshirën për t’u rikthyer në Sevilla, ku filloi karrierën e tij, por klubi andaluzian e refuzoi një mundësi të tillë për shkak të situatës së vështirë financiare.
“Sergio Ramos është një futbollist i mrekullueshëm dhe vjen nga shkolla jonë e futbollit. Por ai nuk është një opsion për Sevillan për momentin, nuk ka asgjë mes nesh dhe tij,” tha zëvendëspresidentja e Sevillas, Maria del Nido Carrasco.
Ramos theksoi se do të vinte te Sevilla për një pagë shumë më të ulët, por ky zhvillim i situatës ndoshta e drejton drejt Inter Miami, që është opsioni më real për mbrojtësin me eksperiencë për momentin. Ai do të luante atje me Lionel Messin dhe Sergio Busquets.
Sezonin e kaluar ai bëri 45 paraqitje për PSG-në, ku arriti si legjendë e Realit. Klubi madrilen e bleu atë në vitin 2005 nga Sevilla për 27 milionë euro. Ai kaloi 16 vjet te Reali, luajti 671 ndeshje dhe shënoi 101 gola dhe, ndër të tjera, fitoi katër Liga të Kampionëve, pesë kampionate spanjolle dhe dy Kupa të Spanjës.
/GazetaBlic Sport


