Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se vendimi MAShT-i që prindërit t’i blejnë librat shkollor për fëmijët e tyre, por që ato do të subvencionohen nga Qeveria, ka thënë se ky është skandal, raporton GazetaBlic.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se kjo gjëja konkrete e paaftësisë për të qeverisur.
“Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas. Kur ne po flasim për paaftësi qeverisëse – kjo është ajo për të cilën e kemi fjalën konkretisht. Dështimi për të përmirësuar jetën e qytetarëve, në çfarëdo aspekti. Për më keq, përmes veprimeve të tyre, kjo Qeveri vetëm sa po e rëndon dhe po e bën më të papërballueshme mbijetesën e familjeve të vendit tonë”, ka shkruar ai.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se çështja e mossigurimit të librave për nxënësit tregon edhe një herë se Qeveria Kurti është e dëmshme për Kosovën.
Haradinaj ka thënë se jo të gjithë prindërit kanë para për t’ua blerë librat, meqë disa prej tyre mund t’i kenë më shumë së tre fëmijë.
Haradinaj thotë se ky është një poshtërim që po iu bëhet prindërve, në prag të fillimit të mësimit.
“Paaftësi totale e Qeverisë. Kur afrohesh në një javë prej vitit shkollor, e me ua dhanë lajmin që nuk sigurohen tekstet, s’është në rregull. Qeveria ka detyrë me i zgjidhë pengesat në rrugë. S’i kanë faj nxënësit dhe prindërit. Është poshtërim për ta. Tash iu thu prindërve bleni, sepse ka prind që ka tre, pesë fëmijë në shkollë. Nuk i kanë njerëzt. Duhet me ble veshmbathje, kpuca, dhe ti i thu duhesh me i ble tekstet. Edhe kjo është dëshmi që Qeveria Kurti është dëm për Kosovën. Ju kujtohet si i poshtëroi edhe nxënësit”, ka thënë Haradinaj
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se Qeveria do të duhej t’i fillonte përgatitjet për nisjen e procesigt mësimor që nga prilli.
Abdixhiku ka deklaruar se tekstet shkollore do të duhej të ishin prioritet.
“Një datë është me rëndësi në arsim. Një shtatori. Në prill do të duhej të nisin përgatitjet që 1 shtatori të nisë mire.” – ka deklaruar ai.
Tutje, kreu i LDK-së shtoi se pasaktësia e pushtetit ka rrezikuar fillimin e vitit të ri shkollor.
“Pasaktësia e këtij pushteti na sjell në rrezik për të bërë një fillim të vitit të ri shkollor.” – tha ai.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se deri në orën 19:00 të ditës së premte kanë aplikuar rreth 12 mijë prindër për subvencionimin e teksteve shkollore.
Ajo ka shkruar në Facebook se mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore.
“Kemi hapur sot platformën për aplikim për subvencionimin e teksteve shkollore. Deri në ora 19:00 kanë aplikuar gjithsej 11,800 prindër ose kujdestarë ligjor. Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, nga Drejtoritë komunale të arsimit është kërkuar që listat për tekstet mësimore të zgjedhura nga aktivat profesionale, t’i bëjnë publike në shkolla dhe në uebfaqet e tyre, ashtu që prindërit të kenë të dhënat e nevojshme për tekstet që do të blejnë për fëmijët e tyre.
“Jemi të njoftuar poashtu se mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit”, shkruan ajo.
Kujtojmë se, Arbërie Nagavci për herë të parë pas disa vitive e ndryshoi procedurën për shpërndarjen e librave për nxënësit.
Nagavci theksoi se tash e mbas, prindërit do t’i blejnë librat për fëmijët e tyre dhe ata do të rimbursohen nga shtetit.
/GazetaBlic/
SBAShK: Mund të mosmjaftojnë 80 € për libra, çmimet ka gjasa të rriten