Lajme

“S’është i duhuri”, “Mund të ketë krizë” – Pse po kritikohet udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri?

09/05/2023 20:06
nga:G C

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se ka përfunduar hartimi i Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni, që do t’u hapte rrugë zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

Sipas Krasniqit, Udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

Krasniqi ka thënë se pjesë e diskutimeve, punës dhe konsultimeve profesionale e edhe e grupit punues kanë qenë institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare dhe se janë trajtuar të gjitha komentet dhe sugjerimet.

“Për këtë çështje marrë parasysh që është hera e parë që trajtohet me rregullim normativ ka pasur shumë komente dhe sugjerime. Të gjitha janë trajtuar dhe pjesa më përmbajtësore janë adresuar.

Ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët”, ka shkruar Krasniqi, derisa ka publikuar edhe draftin final.

Ndërsa, nga 26 deri më 31 gusht është mbajtur diskutimi publik lidhur me draftin e udhëzimit administrativ.

Për takimin e fundit që kishin mbajtur, kryeshefi i grupit punues të udhëzimit administrativ, Besim Myrtezani nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i tha Gazetës Blic se kishte pranuar një varg vërejtjesh dhe sugjerimesh.

Myrtezani është kontaktuar edhe sot nga GazetaBlic, por i njëjti nuk dha më shumë detaje në lidhje me këtë procedurë, përveç njoftimit të Krasniqit.

Avokati kosovar, Ardian Bajraktari ka folur rreth zgjedhjeve të reja në veri dhe udhëzimi administrativ të Qeverisë.

Bajraktari në një prononcim për GazetaBlic thekson se kryetari i komunës përveç që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, i njëjti ka kompetenca mjaft të mëdha, e madje edhe largimi i tij është shumë vështirë për t’u bërë, e në disa raste i pamundur.

“Referuar legjislacionit tonë për Vetëqeverisje Lokale, kryetari i komunës përveç që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, i njëjti ka kompetenca mjaft të mëdha, e madje edhe largimi i tij është shumë vështirë për t’u bërë, e në disa raste i pamundur”, thotë Bajraktari.

“Sipas nenit 72, të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për ta larguar një kryetar komune, fillimisht duhet 20% e të gjithë trupit elektoral ta nënshkruaj kërkesën për largim, e pastaj, mbi 50% e të gjithë trupit elektoral duhet të votojë pro largimit”, shton Bajraktari.

Pra, siç thotë Bajraktari ligji kërkon një prag të lartë që e bën praktikisht të vështirë largimin e një kryetari komune përmes kësaj procedure.

“Duhet theksuar se një përqindje kaq të lartë të daljes në zgjedhje rrallë haset në zgjedhje të rregullta, kur shoqërohen me fushata e kampanja dhe thirrje për dalje në zgjedhje, e lëre më në raste kur nuk priten këto”, thotë Bajraktari.

Sipas Bajraktari procesi zgjedhor në veri do të jetë vështirë i suksesshëm.

“Nisur nga fakti që listat zgjedhore nuk janë të pastruara, si dhe ajo që komuniteti serb, vazhdon të përdoret si mjet i politikës destabilizuese të Vuçiqit në Kosovë, e bën realisht të pamundur me qenë i suksesshëm një procesi i tillë”, tha Bajraktari.

“Andaj, dorëheqja herët apo vonë është dhe duhet me qenë opsioni për kryetarët në katër komunat e vendit tonë, ndonëse të zgjedhur në procedurë ligjore, e të cilët janë legal, por me një përqindje tejet të ulët të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, i bën me mungesë të theksuar të legjitimitetit”, përfundon Bajraktari për GazetaBlic.

Kreu i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç thotë se peticioni nuk është mënyra e duhur për të zëvendësuar kryetarët e rinjë në veri të Kosovës.

Jablanoviç në një prononcim për GazetaBlic shtoi se vendimi i fundit i Qeverisë për një Udhëzim Administrativ rreth zgjedhjeve në veri, sipas tij, është lëvizje konstruktive ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Gjë që sipas tij, Kosova mund të ketë krizën e radhës.

“Jam i sigurt se peticioni nuk është mënyra e duhur për të zëvendësuar kryetarin në veri të Kosovës. Për mendimin tim, kjo është një lëvizje e Qeverisës së Kosovës që dëshiron të prezantohet si palë konstruktive ndaj BE-së dhe SHBA-së dhe në thelb ajo lëvizje është vetëm duke blerë kohë dhe do të çojë në vazhdimin e krizës në muajt e ardhshëm”, thotë ai.

Jabllanoviç dhe se janë dy mënyra se si të hapën rrugët për zgjedhjet e reja dhe deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, këtu përfshin heqjen e plotë të Njësive Speciale.

“Kryetarët e komunave në veri nuk kanë legjitimitet dhe duhet të japin dorëheqje dhe kështu t’i hapin rrugë zgjedhjeve të reja. Pjesa e dytë e rrugës duhet të hapet nga Qeveria e Kosovës, me tërheqjen e plotë të njësive speciale policore dhe heqjen e pikës së kontrollit në urën e Bistricës që pengon lëvizjen normale të qytetarëve”, shtoi ai.

Por, çka thuhet në Udhëzimin Administrativ?

Neni 4 – Iniciimi i kërkesës për largimin e kryetarit të komunës

1. Secili qytetar apo grup qytetarësh me të drejtë vote në komunën përkatëse ka të drejtë të ndërmarrë iniciativën për largimin e kryetarit të komunës, në bazë të ligjit dhe në përputhje me rregullat e këtij Udhëzimi Administrativ.

2. Kërkesa e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën njëzet (20) përqind e votuesve me të drejtë vote në komunën përkatëse.

3. Kërkesa për largimin e kryetarit të komunës duhet të përmbajë të gjitha elementet dhe të dhënat sipas këtij Udhëzimi Administrativ. Qytetarët duhet të informohen qartë, drejtë dhe me saktësi për qëllimin e kërkesës dhe efektet e saj.

4. Mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë të qytetarëve…

Neni 5 – Iniciimi i procedurës

1. Qytetarët e interesuar për inicimin e procedurës së largimit të kryetarit të komunës nga funksioni, duhet të themelojnë një grup nismëtar. Grupi nismëtar përbëhet nga tre (3) ose më shumë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse.

2. Grupi nismëtar, para se të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të kërkesës, duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal dhe mund të njoftojë KQZ. Kryesuesi i kuvendit komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtetin lokal dhe KQZ. Njoftimi përfshin përbërjen e grupit nismëtar, definimin e çështjes dhe arsyetimin e kërkesës (Shtojca 2).

3. Kryesuesi i kuvendit komunal, jo më vonë se pesë (5) ditë nga pranimi i njoftimit, shqyrton kërkesën e paraqitur dhe regjistron grupin nismëtar si palë e autorizuar. Në rast të dështimit të regjistrimit brenda këtij afati

Neni 7 – Dispozitat përfundimtare

1. Procesi i votimit për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni zhvillohet sipas procedurave dhe rregullave për zgjedhjet të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale.

2. KQZ duhet të ndërmarrë veprimet për administrimin e procesit të votimit për largimin e kryetarit nga funksioni, i cili zhvillohet jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë nga dita e konstatimit përfundimtar se kërkesa për largimin e kryetarit është mbështetur nga së paku 20% e votuesve të regjistruar në komunën përkatëse. Për çdo fazë të procesit KQZ konsultohet me kryesuesin e kuvendit komunal dhe grupin nismëtar.

3. Nëse shumica e votuesve të komunës përkatëse nga lista e përfundimtare e votuesve, pesëdhjetë përqind plus 1 (50% + 1), votojnë për largimin e kryetarit, konsiderohet se kryetari i komunës është larguar nga funksioni.

DRAFTI FINAL I UDHEZIMIT ADMINISTRATIV

Opozita: Udhëzimi Administrativ i hartuar nga Qeveria paraqet dorëzim para Serbisë dhe Vuçiqit!