Lajme

Serwer: S’pres asgjë nga takimi Kurti – Vuçiq, duhet të jemi të lumtur vetëm se po takohen

06/26/2024 17:44
nga:G C

Eksperti për Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka thënë se nuk pret asgjë konkrete nga takimi Kurti-Vuçiq, duke theksuar se duhet të jemi të lumtur që ata kanë pranuar të takohen në këtë pikë ku situata ka qenë e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk kam asnjë ide çfarë të them apo të konkludojë nga ky takim, me gjasë duhet të jemi të lumtur vetëm se ata po takohen në këtë pikë ku situata ka qenë tejet e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Serwer.

Në emisionin FIVE, Serwer ka theksuar se nëse insistohet që të arrihet marrëveshja vetëm pasi diplomatët evropianë do të përfundojnë mandatin e tyre së shpejti, kjo do të ishte vetëm një mbulesë për dështimin për disa vite.

“Ata mund të provojnë që të paktën të thonë se mandatin e përfunduan me sukses por nuk mendoj se ajo është rruga e duhur për të gjetur marrëveshje të mirë, mendoj që do të ishte vetëm një mbulesë për dështimin e disa viteve”, ka thënë ai.

Por, një marrëveshje përfundimtare, ai është optimist se kjo mund të arrihet në të ardhmen.

Sipas tij, problemi kryesor i dialogut mes dy vendeve, është fokusimi në normalizim politik.

“Gjërat kanë qenë interesante në vitet e fundit, por mendoj se pjesë e problemit është se dialogu është fokusuar në normalizim politik, madje as serbët në veri nuk janë të interesuar për normalizim politik. Por nëse flasim për çështjet siç janë kalimi më i lehtë i kufirit, shërbimet ndaj qytetarëve dhe të mirat që mund t’i marrin nga dialogu atëherë do të ishin më të interesuar”, ka thënë Serwer.