Lajme

Servilizëm total apo dinjitet? A ka ardhur koha për një referendum moral?

20 orë më parë
nga:Arianit Koci

Djali i presidentit të SHBA, Donald Trump Jr., takon Vuçiçin në Beograd, dhe në podcast, pas takimit, përmendet një teori absurde:

“Ka disa që thonë se intervenimi i NATO-s në Kosovë është bërë për të fshehur skandalin e ish-presidentit amerikan Bill Clinton me Monica Lewinsky.”

E pabesueshme si disa ende përpiqen ta relativizojnë ndërhyrjen e NATO-s, duke anashkaluar faktin thelbësor: bombardimet ndodhën sepse Serbia po kryente spastrim etnik dhe masakra në Kosovë. Kjo është e vërteta historike, e dokumentuar dhe e pakontestueshme.

Mijëra të vrarë, mijëra gra të dhunuara, mbi një milion shqiptarë të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre – kjo ishte gjendja para ndërhyrjes së NATO-s.

Kjo ishte arsyeja e vetme pse bota ndërhyri.

Amerika dhe aleatët e saj kanë bërë për ne atë që askush tjetër nuk do ta bënte. Për këtë, jemi mirënjohës përjetësisht. Pa ta, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur.

Unë jam dhe gjithmonë do të jem për besnikëri të palëkundur ndaj Amerikës dhe Evropës. Pa ta, ne nuk do të kishim as shtet, as liri. Por kjo nuk do të thotë se duhet ta humbim çdo grimë dinjiteti.

Ndoshta ka ardhur koha për një referendum moral:
1.

Servilizëm total, ku të tjerët vendosin për fatin tonë dhe ne vetëm përshtatemi me interesat e momentit?
2.

Luftë për të drejtën dhe të vërtetën, duke bërë maksimumin për të ruajtur aleancat me Amerikën dhe Perëndimin, por pa shkelur mbi vetveten?

Unë jam për rrugën e dytë – besnikëri ndaj aleatëve tanë të përjetshëm, por edhe ruajtje të një trohe dinjiteti.

Të zgjedhim drejtimin, sepse historia nuk fal ata që shiten lirë!