Familjarët e dy të vrarëve në prill të 2021-ës, në fshatin Gradicë të Drenasit, kanë protestuar sërish sot pasi të hënën Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Xhafer Bardhin me burgim të përjetshëm, ndërsa liroi nga akuza djalin e tij, Amir Bardhin.
Familjarët e të vrarëve kanë pasur ankesa në gjykatë pse nuk është dënuar edhe Amir Bardhi bashkë me babain e tij.
Familjarët kanë protestuar para Gjykatës Themelore në Prishtinë, te Pallati i Drejtësisë, me pankarta, në të cilat shkruhej se “Gjyq si ke marrë parasysh lotët e nanës…”, “Boll mo!”. etj.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Xhafer dënohet me burgim të përjetshëm, kurse i akuzuari Amir lirohet në mungesë të provave dhe të njëjtit i ndërpritet masa e paraburgimit.
Pas seancës, familjarët e viktimave, para mediave kishin pretenduar se edhe tri familje tjera se janë përfshirë në vrasjen e B.A dhe A.M, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi po akuzohen se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M./


