Skuadra nga Kosova KH Rahoveci po vazhdon rrugëtimin në EHF European Cup.
Rahoveci u kualifikua në raundin e tretë të EHF European Cup pasi mposhti skuadrën Bocholt, teksa ballafaqimi i radhës do jetë ndaj një skuadre rumune, shkruan GazetaBlic Sport.
Në Mizahir Isma, në ndeshjen e parë Rahoveci pret ekipin rumun CS Minaur Baia Mare dhe një javë më vonë shkojmë në Rumani për ndeshjen e kthimit.
Skuadra kosovare ka kërkuar përkrahje masive për këtë duel.
Postimi i plotë:
TË SHTUNËN NA DUHET PËRKRAHJE MASIVE SI ASNJËHERË MË PARË
Pasi e shkruam historinë e sportit lokal, duke kaluar në raundin e tretë të EHF European Cup në hendboll me mposhtjen e kampionit belg, Bocholt, tashmë më 23 nëntor, nga ora 19:00 e kemi rastin të shkruajmë historinë e hendbollit kosovar.
Në Mizahir Isma, në ndeshjen e parë presim ekipin rumun CS Minaur Baia Mare dhe një javë më vonë shkojmë në Rumani për ndeshjen e kthimit.
Në historinë e sportit kosovar, Besa Famgas më së largu në këto nivele ka arritur aty ku jemi edhe ne tani për herë të parë, andaj me një fitore eventuale bëhemi ekipi i parë vendor që kualifikohet në 16 më të mirat e EHF European Cup.
Por, ky është një mision jashtëzakonisht i vështirë, pasi kemi të bëjmë me një ekip me përvojë të jashtëzakonshme në këto nivele. Madje, mund të themi se ekipi rumun është një nga favoritët e kësaj gare.
CS Minaur Baia Mare është 3 herë kampion rumun, 6 herë fitues i kupës, 2 herë fitues i EHF Cup, gjysmëfinalist i edicionit të fundit të EHF European Cup dhe finalist në vitin 2022. Ka pjesëmarrje edhe në Ligën e Kampionëve. Përkundër disa vështirësive financiare me të cilat përballet, ka ekip kompakt me lojtarë shumë të fortë.
E gjithë kjo paraqet veç një motiv shtesë për ne. Duam të dëshmojmë se jemi të gatshëm për ndeshje të këtyre niveleve dhe do të japim gjithçka nga vetja. Por, do të jetë definitivisht e pamundur pa përkrahjen tuaj masive në Rahovec.
Andaj, orarin e dini, adresën po, veç na ka mbetur të luftojmë bashkë, për të hyrë në librat e historisë së hendbollit kosovar.