Lajme

“Serbia të ndalojë së turpëruari veten”, ambasadori gjerman mbështet deklaratën e Von Cramonit

04/17/2024 18:06
nga:G C

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka mbështetur deklaratën e Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon lidhur me bllokimin e qytetarëve të Kosovës nga autoritet serbe në pikat kufitare.

Në llogarinë e tij në platformën “X”, ambasadori Rohde ka shpërndarë deklaratën e bërë nga Von Cramonin mëngjesin e së mërkurës.

“Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe menjëherë t’i lejojë qytetarët me pasaporta dhe letërnjoftim të Kosovës që të kalojë kufirin e Batrovcit! Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, ka shkruar ajo në “X” sot.

Për bllokimin e mbi 300 qytetarëve të Kosovës kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian.

Peter Stano ka thënë se Bashkimi Evropian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano për REL.