Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, deklaroi se Serbia e ka shkelur marrëveshjen për targat, e cila ishte arritur në Bruskel në muajin nëntor të vitit të kaluar pas disa javësh tension.
Ai njoftoi se Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar të mërkurën në disa pika kufitare vetura me targa ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022, për të cilat Serbia ishte pajtuar që të ndalojë prodhimin e tyre dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese.
Sveçla ka shkruar se “duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim” ndërsa tha se “Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre”, shtoi ai.
Në fund, ai ka ftuar të gjithë qytetarët, pronarë të veturave me targa të tilla, të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Kosovë në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Kosovës.
Ndryshe, siç u kuptua pas takimit të fundit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, BE-ja kishte ofruar një propozim i cili kërkonte nga Serbia që të mos lëshojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobisë shoferët që vozisin makina me targa ilegale.
Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.
Të dyja marrëveshjet do të jenë në fuqi derisa të arrihet një zgjidhje përfundimtare si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin franko-gjerman.
Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.


