Lajme

Serbia s’e mbështet shefin e OKB-së pasi Izraeli e shpalli “të padëshiruar”

10/15/2024 09:26
nga:N K

Më shumë se 100 vende anëtare të OKB-së kanë nënshkruar një letër mbështetjeje për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres pasi Izraeli e shpalli atë “persona non grata”.

Serbia nuk është në mesin e 105 vendeve që kanë nënshkruar letrën, e cila “shpreh shqetësim dhe dënim të thellë për deklaratën e fundit të Ministrit të Jashtëm izraelit që e shpall Sekretarin e Përgjithshëm person të padëshiruar”.

“Veprime të tilla minojnë aftësinë e OKB-së për të zbatuar mandatin e saj, i cili përfshin ndërmjetësimin e konfliktit dhe mbështetjen humanitare. Në Lindjen e Mesme, ajo mund të vonojë më tej fundin e të gjitha armiqësive dhe vendosjen e një rruge të besueshme për një zgjidhje me dy shtete, ku shtetet e Palestinës dhe Izraelit do të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri, në përputhje me rezolutat përkatëse të OKB-së”, thuhet në letrën në të cilën agjencia serbe e lajmeve Beta thekson se kishte njohuri për të.

Ndër vendet që nuk e kanë nënshkruar letrën janë SHBA-ja, Britania e Madhe, Australia, Zelanda e Re, Kanadaja, India.

Italia, Gjermania, Austria, Hungaria, Republika Çeke, Polonia, Rumania, Bullgaria, Ukraina nuk janë në listë, shkruan Danasi serb.

Nga rajoni, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia nënshkruan mbështetjen e tyre për Guterresin, ndërsa Serbia, Kroacia dhe Shqipëria jo.

Në një letër të përbashkët, 105 vende bëjnë thirrje për respekt për udhëheqjen dhe misionin e OKB-së, për bashkëpunim konstruktiv dhe shmangien e veprimeve që mund të dobësojnë rolin kyç të OKB-së në zgjidhjen e konflikteve dhe për mbështetje për iniciativat që kontribuojnë në një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme ndaj krizës në Lindjen e Mesme.

Nënshkrimi i letrës së mbështetjes për Guterresin u iniciua nga misioni i Kilit në OKB, në emër të një grupi vendesh që përfshin gjithashtu Brazilin, Kolumbinë, Afrikën e Jugut, Ugandën, Indonezinë, Spanjën, Guajanën dhe Meksikën.

Një letër e përbashkët me një listë prej 105 vendeve nënshkruese i është dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së më 11 tetor, me kërkesë që ajo t’i përcillet vendeve anëtare dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.