Lajme

Serbia në zi për terroristët: Flamujt ulen në gjysmë shtizë, qytetarët ndezin qirinj

09/27/2023 13:50
nga:Y I

Në serbi e mërkura e 27 shtatorit është shpallur ditë zie për të nderuar kujtimin e tre serbëve që mbetën të vrarë pas sulmit që kryen ndaj Policisë së Kosovës.

Dhjetra qytetarë kanë ndezur qirinj, ngjarjet sportive janë anuluar dhe flamujt në institucione janë ulur në gjysmë shtizë, pavarësisht se Serbia është distancuar nga sulmi, duke mos pranuar asnjë akuzë se pas ngjarjes fshihet Beogradi.

Ditë zie është shpallur gjithashtu edhe në republikën “Srpska” në Bosnje-Hercegovinë.

Serbia vijon të fajosojë Kosovën për ngjajren e së dielës që është dënuar në grup edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Në të njëjtën linjë me Presidentin Aleksandër Vuçiç, Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, duke folur për televizionin shtetëror serb, fajsoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për sulmin e armatosur në manastirin e Banjskës.

Sipas tij edhe videoja e publikuar nga ministri i brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla, që tregon se në krye të grupit të armatosur ka qënë Milan Radoiçiç, Nënkryetari i Listës Serbe, i njohur si njeriu i Vuçiç, është e montuar.

“Të duash të dëshmosh se serbët janë terroristë në kurriz të shtetit tonë është e mjerueshme,” është shprehur Daçiç.