Lajme

Serbia mori një vendim të tmerrshëm për shqiptarët e Preshevës, reagon ashpër Konjufca

12/22/2021 17:24
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar pasi që Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur ndaj ministrit të brendshëm Vulin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.

Gjithashtu, Konjufca reagoi edhe për marrjen në pyetje të gazetarit, Adriatik Kelmendi nga BIA serbe, teksa shtoi se Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Reagimi i plotë:

Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur ndaj ministrit të brendshëm Vulin nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë.

Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’.

Vërtet e trishtë dhe e papranueshme.

Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët.

Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë’.