Lajme

“Serbia është më afër NATO-s se sa Kosova”, Ahmeti thotë se deklarata e Hill u keqkuptua

03/21/2024 23:15
nga:G C

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti po vlerëson se u keqkuptua deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, kur tha se Serbia është më afër NATO-s se sa Kosova.

Sipas Ahmetit, është më se reale që ushtria e Serbisë ka pasur më shumë ushtrime të përbashkëta me NATO-n, se sa Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Mendoj që u keqkuptua deklarata e Hill dje, se Serbia është më afër NATO, është dhënë në një televizion serb. Nuk po them se atje flet ndryshe, këtu ndryshe por, realisht më shumë ushtrime ka pasur ushtria e Serbisë me NATO-n se sa që kanë bërë Forcat e Armatosura të Kosovës. Nuk po them që është faji i qeverisë, por ia kemi huq për shkak të qeverisë vitin e kaluar në ushtrimet e përbashkëta”, u shpreh ai në emisionin “Këndi i Debatit” në TËVË 1.

Ndryshe, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Serbia aktualisht është partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova.

“Nëse shikon se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s se Kosova. Në këtë moment po. Kjo është shumë e vërtetë për tani”, ka thënë ai në një intervistë për RTS.