Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë në shenjë pakënaqësie.
Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë kalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhamat para dhe prapa.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme që ky vendim të mos pengojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke shtuar se situata në kufijtë “është e qetë”.
“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS’”, ka shkruar në Facebook ministri Sveçla.
Ministria që udhëheq Sveçla ka njoftuar se përveç në pikat kufitare, qytetarët mund të pajisjen me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.
Në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të grumbullimit të qytetarëve dolën edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.
Në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, nuk po mund të lëvizin veturat për shkak se rruga është bllokuar me kamionë dhe vetura, që kanë krijuar në kolonë prej disa kilometrash.
Më herët gjatë ditës, kreu i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Goran Rakiq, tha se ky vendim është i drejtuar kundër popullit serb.
Ai ishte i pranishëm në Jarinje, ku Policia e Kosovës udhëzoi qytetarët që të mos grumbullohen, por Rakiq tha se ata kanë të drejtë të mbajnë protestë paqësore.
“Ne kemi dëgjuar informacione se kjo nuk është e drejtuar kundër popullit serb”, tha Rakiq, po shtoi se një vendim i tillë, sipas tij, “është kundër popullit serb”.
Qytetarët në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, thanë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për reciprocitetin për targat, ka qenë i pritshëm, por edhe se do të shkaktojë problem për njerëzit.
Zllatibor Viçentijeviq nga Mitrovica e Veriut tha se me targat e Serbisë janë të regjistruar afër 10,000 vetura.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë me tabelat nga veriu i Kosovës siç janë tabelat e ‘KM’ (Mitrovica e Kosovës). Vetëm me këto tabela janë të regjistruara rreth 9,500 mijë vetura dhe kjo gjithsesi paraqet problem për njerëzit që veturat e tyre i kanë të regjistruar në Mitrovicë”, tha ai, duke shtuar se nëse është e nevojshme, ai do të paguajë tatim për regjistrimin e veturës së tij me targa ‘RKS’ (Republika e Kosovës).
Për Dragan Vuçkoviq ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka qenë i pritshëm.
“Ka qenë e pritshme. Pasi jetoj këtu, nëse duhet e regjistroj. Nëse mua do të më kishte pyetur dikush, nuk do të duhej, por nëse kështu duhet, atëherë….”, shprehet ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se autoritetet në Prishtinë po demonstronin forcë dhe se ata kishin interpretuar sipas dëshirës së tyre Marrëveshjen e Brukselit kur njoftuan për zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve.
Vuçiq e përshkroi situatën në Kosovë si “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”.
Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.
“Nuk bëhet fjalë për ndonjë dramatizim, por situata është shumë serioze dhe e vështirë”, tha presidenti i Serbisë, duke shtuar se “është e vështirë të arrihen zgjidhje racionale, me ata që sillen në mënyrë të papërgjegjshme”.
Ai tha se ka diskutuar për situatën me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrel. Vuçiq paralajmëroi që nesër do të thrrasë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Serbisë.
“Shpresoj se nuk do të na duhet të marrim masat tona, si ekonomike ashtu edhe politike, sepse kjo nuk do të ishte mirë për të gjithë rajonin, veçanërisht për marrëdhëniet tona me Prishtinën”, tha Vuçiq, derisa porositi serbët të mos bien pre e provokimeve, të protestojnë në paqe dhe pa incidente.
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa i përket targave të Serbisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bënë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.
“I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se të dy palët duhet të punojnë në krijimin e një atmosfere e cila do të ndihmonte lirinë e lëvizjes dhe uljes së tensioneve.
Sipas tij, dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është platformë për të zgjidhur çështjet e hapura midis Kosovës dhe Serbisë.
“Ne po fokusohemi për të evituar situata, siç është ajo tash në veri të Kosovës”, tha Stano duke përsëritur se të gjithë duhet të punojnë në frymën e promovimit të dialogut dhe uljes së tensioneve.
Sipas Stanos, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçka gjendet në Beograd dhe pasditen e së hënës do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Stano po ashtu tha se Lajçak më herët ka biseduar me autoritetet e Kosovës.
Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëashëm.
Deri më tani, veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.
Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Veliu: MPB-ja zbatoi vendimin e nënshkruar nga unë për reciprocitetin me targat