Lajme

SEPA ul kostot e transfertave në Shqipëri

12/26/2025 14:26
nga:N K

Anëtarësimi në SEPA pritet t’u kursejë qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë shqiptare më shumë se 71 milionë euro në vit në transfertat ndërkombëtare të kryera nga ose drejt Shqipërisë. Të dhënat bëhen të ditura nga Ekipi i Ekonomistëve Gjermanë (GET) në një studim të financuar nga Ministria Federale Gjermane për Ekonominë dhe Energjinë.

“Kjo shënon një hap shumë të madh jo vetëm drejt integrimit në BE, por përbën hapin më të madh cilësor që ka shënuar ndonjëherë Shqipëria në përafrimin me vetë vendet e BE-së”, tha ekonomisti Elvin Meka.

Për ekonomistin Meka, avantazhet janë të shumëfishta.

“Jo vetëm në termat e shpejtësisë, pra kohës që duhet për ekzekutimin e transfertave, të cilat pjesa dërrmuese e tyre realizohen brenda 24 orëve, por ajo që është më thelbësore ka të bëjë me uljen e kostos së transaksioneve”, nënvizoi ai.

Studimi i ekonomistëve gjermanë thekson gjithashtu se mbi 80% e pagesave ndërkombëtare të qytetarëve shqiptarë realizohen me vende të zonës SEPA.