Sporti

Senad Alirifa rrëfen rrugëtimin e karrierës së Ermal Krasniqit: “Ka potencial të luaj në ligat më të forta evropiane”

02/17/2023 12:37
nga:E K

Ermal Krasniqi është padyshim një nga lojtarët më në formë të Kosovës për momentin.

Sulmuesi i Cluj po kalon në formë të mirë te skuadra e re pas transferimit të tij nga Ballkani, shkruan GazetaBlic Sport.

Së fundmi Krasniqi kishte një performancë të dalluar nga skuadra e tij në humbjen e Cluj nga Lazio në “Conference League”.

Krasniqi ishte krucial që nga fillimi duke i dhënë avantazh numerik skuadrës së tij, në momentin kur Patric ndërhyri në sulmuesin kosovar që në minutën e 15’të dhe u largua me karton të kuq.

Performanca e tij nuk u la pa u dalluar edhe nga trajneri i Cluj, Dan Petrescu i cili nga ndeshja në ndeshje po i jep besimin e tij lojtarit duke e lavdëruar me fjalët më të mëdha.

Një nga trajnerët e parë të Ermal Krasniqit, Senad Alirifa për GazetaBlic Sport ka rrëfyer rrugëtimin e Krasniqit deri në skuadrën e Cluj aty ku po merr vëmendje të madhe në kampionatin rumun.

Alirifa tregon se si Krasniqi ka nisur karrierën e tij si futbollist te skuadra e Malishevës që në atë kohë njihej si “Ujëvara e Malishevës”.

Te Ujëvara e Malishevës Ermali ka qenë pjesë në vitin 2018, Ermali ka pas gjithmonë potencial dhe është veçuar nga të tjerët, ka bërë diferencën. Në atë sezon i ka shënuar diku 30 gola e kam parë talentin e tij në Ligën e Dytë që ka qenë më e vështirë nga aty me ec ma përpara. Pastaj kam insistuar me profën [Bylbyl Sokolin] e kam paraqit te ai, ai ka qenë te Llapi. E kemi dërgu te Llapi, pastaj Bylbyli e ka marrë me vete kur ka shkuar edhe në Ferizaj dhe kështu ka bërë një ngritje graduale dhe të sigurtë“, tha fillimisht Alirifa.

Në Ligën e Dytë është dalluar ka pas shumë cilësi, por nuk dihej nëse Liga e Dytë ishte e ‘dobët’ apo ai kishte talent të madh. Por gradualisht ka pas ngritje, por ka pas edhe batica dhe zbatica në Llap kishte një dëmtim të madh në ‘miniskus’, ka bërë operacion, ka pushuar katër muaj. Këtu ka qenë diskutabile karriera e tij nëse do vazhdonte apo jo, sepse menjëherë pas transferimit të tij në Llap e pësoi këtë lëndim të rëndë. Pastaj kur shkoi ‘profa’ në Llap e mori me vete dhe bëri një zhvillim të sigurtë, kurse unë e shoh që ai mundet me përfundu edhe në ligat më të forta, në 4 apo 5 ligat më të forta te disa ekipe që janë mesatare në ato liga“, shtoi ai.

Ai thotë se ndihet krenar kur sheh një ish lojtar të tij duke performuar në mënyrë të jashtëzakonshme në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Unë jam krenar që kam punuar me të dhe e shoh në nivelet më të larta edhe duke e pas parasysh që e kam ndihmuar në karrierën e tij duke e avancuar nga Liga e Dytë në Superligë, kam qenë njëri nga faktorët në këtë drejtim“, vazhdoi Alirifa.

Hap shumë i rëndësishëm në karrierën e tij kanë qenë performancat e tij në “Conference League”, ku vlerat e tij kanë dal në pah. Ai ka pas edhe suksese tjera kur është shpallë kampion me Ballkanin, por sidomos kjo paraqitja në Conference League e ka ndihmu atë për me bë një hap të madh në karrierë, pasi kishte edhe 24 vjet dhe ishte koha që të bëhej një hap i tillë i madh. Mendoj që ai do ketë arritje të tjera pasi ka karakter të lartë si lojtarë“, përfundoi Alirifa.

/GazetaBlic Sport/