Sëmundjet e frymëmarrjes ndikojnë në cilësinë e jetës së një numri të madh të njerëzve. Në këtë kontekst, inhalatorët luajnë një rol jetësor në trajtimin dhe menaxhimin e këtyre sëmundjeve.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua pulmologu Besim Morina, i cili tha se shkaqet e sëmundjes së astmës janë shpesh si pasojë e dispozitës, mirëpo edhe në shumicën e rasteve shkaku nuk i dihet.
“Astma mund të paraqitet për shkaqe të ndryshme. Shpesh mund të jetë si pasojë e predispozitës familjare. Pastaj, në shumë raste mund të jetë si pasojë e alergjisë apo infeksioneve të frymëmarrjes në fëmijëri. Por në shumicën e rasteve shkaku nuk dihet”, deklaroi ai.
Tutje, Morina flet rreth trajtimeve më efektive për astmën në kohët e fundit.
“Trajtimi më adekuat është përmes marrjes së ilaçit me inhalatorë, sprej apo pompë. Përmes tyre merren barna kundër pezmatimit të rrugëve të frymës – të grupit kortikosteride dhe atyre që i lirojnë rrugët e frymës – bronkodilatator. Në raste të alergjive, duhet të merren edhe antihistaminike”, tha ai.
Po ashtu, pulmologu tregon rreth mënyrave të parandalimit për përkeqësimin e astmës në periudha të caktuara, sidomos përgjatë stinëve të alergjive.
“Zakonisht iu rekomandohet evitimi ndaj ekspozimit në ngacmuesit e ndryshëm të astmës si alergjendët, pluhuri, tymi, mjegulla e ajrini ftohtë. Po ashtu rekomandohet marrja e ilaçeve në mënyrë të rregullt”, vazhdoi ai.
Më tej, pulmologu Morina tregon për llojet e inhalatorëve për trajtimin e astmës dhe funksionimin e tyre.
“Terapia inhalatore merret përmes Nebulizatorit (aparatit të inhalimit me rrymë), inhalatoreve me pluhur (ku ilaçi merret me thithje) dhe inhalatorëve në formë spreji apo pompash”, u shpreh ai.
Gjithashtu, pulmologu tregon se a ka ndryshim në efikasitetin e inhalatorëve të dozës së përditshme krahasuar me ato që përdoren në rast të nevojës.
“Terapia përcaktohet në bazë të shkallës së sëmundjes dhe ashpërsisë së simptomave, zakonisht jepet terapia inhalatore mbajtëse me dozat minimale, dhe në rast të përkeqësimeve të simptomave apo sulmeve astmatike, shtohen dozat dhe rritet numri i ilaçeve”, tha ai.
Sipas pulmologut Morina, teknikat më efektive për përdorimin e inhalatorëve varen shumë nga edukimi i pacientit, si dhe mënyra e përdorimit dallon nga lloji i inhalatorëve.
“Është shumë me rëndesi edukimi i saktë i pacientit, mënyra e përdorimit jo e duhur është shkaku më i shpeshtë i mos efikasitetit të terapisë. Mënyra e përdorimit dallon nga lloji i inhalatorit, pasi prodhues të ndryshëm kanë inhalatorë me përdorim të ndryshëm. Pacientit duhet t’i demonstrohet mënyra e duhur e përdorimit” potencoi ai.
Për në fund, pulmologu Morina tregon se si mund ta njohim nëse inhalatori është duke funksionuar si duhet dhe cilat janë shenjat që tregojnë nevojën për zëvendësim ose servisim të tij.
“Treguesi më i saktë është sëmundja jo mirë e kontrolluar. Në raste të tilla kur pacienti vazhdon të ketë simptoma dhe përkeqsime të shpeshta, duhet ta kontrollojmë nese është adekuate teknika dhe mënyra e përdorimit të inhalatorit”, përfundoi pulmologu Besim Morina.
/GazetaBlic/


