Gluteni është një proteinë që shfaqet tek drithërat. Në prodhimet me miell gruri, ai luan rol në kthimin e brumit në brum të shtrueshëm për t’u hapur në petë ose për ta thurur. Krah grurit, elbit dhe thekrës, gluteni ndodhet edhe tek lloje të tjera drithërash origjinal dhe drithërash të kryqëzuar.
Në lidhje me ndikimin e glutenit në shëndetin tonë dhe moshat e prekura sëmundjen celiake, në një prononcim për GazetaBlic, nutricistja Albulena Ilazi, ka treguar shenjat e para të paraqitjes së glutenit.
“Gluteni është një grup proteinash që shfaqet në disa drithëra, kryesisht në grurë, elb dhe thekër. Funksioni i tij kryesor në ushqim, është të sigurojë elasticitet dhe strukturë për brumin, gjë që e bën të mundur prodhimin e bukës dhe produkteve të tjera të pjekura. Në dietën tonë të përditshme, gluteni mund të gjendet në shumë ushqime të përpunuara, përfshirë bukën, makaronat, drithërat, biskotat, ëmbëlsirat, salcat dhe madje edhe në disa produkte të konservuara apo të përpunuara. Përveç funksionit të tij në përpunimin e ushqimit, gluteni përdoret shpesh si stabilizues në shumë produkte të paketuara”, tha ajo.
Nutricistja Ilazi tregon shenjat e para të shfaqjes së intolerancës ndaj glutenit dhe ndikimin e tij tek fëmijët.
“Intoleranca ndaj glutenit, veçanërisht tek ata me sëmundjen celiake, mund të shkaktojë një varg simptomash që zakonisht fillojnë pas konsumimit të ushqimeve që përmbajnë gluten. Ndër shenjat e para mund të përfshijnë: Dhimbje barku dhe fryrje, diarre kronike ose kapsllëk, lodhje e vazhdueshme dhe dobësi, humbje peshe të paqëllimshme, anemi (mangësi hekuri), rritje e dobët tek fëmijët, simptoma neurologjike si dhimbje koke, ngurtësi në muskuj, dhe probleme me ekuilibrin, irritime të lëkurës, si dermatiti herpetiformis, një gjendje e kruajtjes dhe flluska në lëkurë”, vazhdoi ajo.
A ka ndonjë moshë të caktuar të paraqitjes Gluteni?
“Sëmundja celiake dhe intoleranca ndaj glutenit mund të shfaqet në çdo moshë, duke filluar nga fëmijët e vegjël deri tek të rriturit. Megjithatë, simptomat shpesh fillojnë të shfaqen pas fillimit të konsumimit të ushqimeve që përmbajnë gluten, veçanërisht gjatë periudhës së fëmijërisë kur ushqimet e para përfshijnë drithëra. Disa njerëz mund të zhvillojnë simptoma më vonë në jetë, veçanërisht pas një periudhe stresi, sëmundjeje, ose ndryshimi në dietë që mund të nxisë reagimin autoimun. Për ata me sëmundje celiake, simptomat e rënda mund të shfaqen herët në jetë, ndërsa të tjerë mund të mos shfaqin simptoma deri në moshën e rritur”, tha tutje Ilazi.
Ajo tutje ka theksuar ushqimet të cilat janë me gluten dhe të cilat janë pa pjesëmarrjen e tij.
“Gluteni gjendet në shumë ushqime të përditshme, sidomos në ato që përmbajnë drithëra si gruri, elbi dhe thekra. Meqenëse gjendet në këto drithëra të përdorura gjerësisht, ai përfshihet në shumë ushqime të zakonshme si mielli, buka, pastat, drithërat, supat dhe birra. Konsumatorët që kanë nevojë të shmangin glutenin duhet të lexojnë me kujdes etiketat e produkteve dhe të zgjedhin ushqime që janë të certifikuara pa gluten”, potencoi nutricionistja.
Në fund, nutricionistja Ilazi ka treguar se a është gluteni trashëguese dhe trajtimin e tij me personat që kanë ndjeshmëri ndaj tij.
“Sëmundja celiake ka një komponent gjenetik dhe shpesh është e trashëguar. Njerëzit me familjarë të afërt që kanë sëmundjen celiake kanë një rrezik më të lartë për ta zhvilluar atë. Ndërsa intoleranca ndaj glutenit ose ndjeshmëria jo-celiake mund të zhvillohet me kohën dhe nuk është domosdoshmërisht e trashëguar. Faktorët që mund të ndikojnë në zhvillimin e intolerancës përfshijnë predispozitat gjenetike, faktorët mjedisor dhe dieta. Për disa individë, ekspozimi i hershëm ndaj glutenit mund të luajë një rol në zhvillimin e intolerancës. Për personat që dyshojnë se kanë ndjeshmëri ndaj glutenit, dieta e eliminimit është një mënyrë efektive dhe ekonomike për ta testuar këtë ndjeshmëri. Kjo dietë përfshin eliminimin e glutenit nga ushqimi për një periudhë të caktuar kohore (rreth dy javë) dhe më pas rikthimin gradual të tij për të parë nëse simptomat përsëriten”, përfundoi nutricistja Albulena Ilazi.
/GazetaBlic/