Lajme

Selmani: BDI-ja asnjëherë s’ia ka turbulluar ujin Gruevskit apo VMRO-së

04/23/2024 21:13
nga:G B

Njohësi i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, Naser Selmani, ka folur për gjuhën e ashpërsuar politike në prag të zgjedhjeve.

Selmani në “Debat Plus”, tha se Kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski nuk dihet se si do sillet sepse partia e tij ka lidership të ri, derisa shtoi se BDI-ja, e ka lidershipin e vjetër dhe se është e parashikueshme se si do sillen në vijim.

Ai tha se partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI, asnjëherë nuk ‘ia ka turbulluar ujin Nikola Gruevskit apo VMRO-së”.

Ai i ka përmendur disa raste ku sipas tij  VMRO-ja ka vepruat në dëm të shtetit e të shqiptarëve e BDI-ja nuk ka reaguar.

“Ashpërsimi i retorikës në fund të fushatës është ekuacion me një të panjohur, e njohur është sjellja e BDI-së, ka lidership të njëjtë, e reja është VMRO ka lider të ri… Kur them se BDI është e njëjta, mendoj që BDI gjatë bashkëqeverisjes 11 vjeçare me VRMO, asnjëherë nuk ia ka turbullu ujin Gruevskit dhe VMRO-së, as kur afrohej me Rusinë, as kur merrte kredi me Kinën as kur refuzonte ta ndërronte emrin, as kur montonte procese politike kundër shqiptarëve as kur ndërtonte kryqe. Ishte një BDI, sikur të hiqte apo të refuzonte bashkëpunim me VMRO nuk do qeveriste deri në vitin 2016”, tha ai.

Tutje ai tha se Mickovski në publik e shan BDI-në dhe e lavdëron opozitën, por privatisht e bën të kundërtën.

“Loja e Mickovsit është e dyfishte, s’di si do sillet, në publik shan BDI-në dhe lavdëron opozitën, kurse në brifingje me gazetarë ku kam marrë pjesë, shan opozitën e lëvdon BDI-në. Me këtë lojë tenton ta ulë çmimin partive shqiptare për koalicion. Nëse partitë shqiptare janë serioze është të merren vesh si te negociojnë pas zgjedhjeve, të mos na ndodhë ajo që na kanë ndodhë, të ketë kompeticion të presin rend në derë të VMRO-së”, tha ai.