Në seancën e Kuvendit të Kosovës po bëhet Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Zyrtarët Publikë dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Pas PDK-së, edhe LDK-ja ka dalë kundër këtyre projektligjeve.
Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se Qeveria Kurti po tenton ta shkatërrojë administratën e shtetit.
Sipas tij, në Kosovë nuk ka qenë sistemi i keq, por shtoi se njerëzit e kanë prishur atë sistem.
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për politizimin e administratës shtetërore, ndërsa iu drejtua kryekuvendarit Glauk Konjufca se nuk ka reflektuar as pas shqetësimit të Zyrës së BE-së për këto projektligje.
“Ne po e shfrytëzojmë rastin si LDK të shprehim më tepër se shqetësim tonë për qasen e Qeverisë në raport me 80 mijë njerëz që punojnë në administratë. Ky është shembull se si po tenton një qeveri ta shkatërrojë këtë sistem. Në Kosova s’ka qenë sistemi i keq, njerëzit e kanë prishur atë sistem. Me këtë qasje shkatërrohet administrata e shtetit të Kosovë”, u shpreh ai para deputetëve.
Selmanaj theksoi se me këtë ligj, bëhet diferencimi i administratës.
“Afati 4-vjeçar i secilës pozitë i nivelit të mesëm e të lartë është mundësi për korrupsion e nepotizëm. Askush në Kosovë nuk është i sigurt se do të jetë pjesë e Administratës pas 4 viteve. Ku është interesi që njerëzit të bëhen pjesë e administratës?”, tregoi ai.


