Fitore të Demokracisë dhe të opozitës po e konsideron deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, largimin e mundësisë për shtyrje të zgjedhjeve, kërkesë kjo e presidentes, Vjosa Osmani, e përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Teksa ka folur për këtë çështje, Selmanaj thotë se reagim të tillë të presidentes nuk ka pasur për gjendjen e rëndë pandemike nëpër të cilën po kalon vendi.
Thotë se me të drejt opozita e ka kundërshtuar një gjë të tillë.
“Tendencë e pakuptimtë, ndërkohë nuk kishim fare reagim të saj për gjendjen e rëndë pandemike, për vdekjet e 20-30 personave në ditë, si rezultat i keqmenaxhimit të pandemisë, por kur vjen puna te zgjedhjet, kfjellet dhe thotë hajde ta diskutojmë këtë. Unë mendoj që kanë qenë një qasje për t’i bërë një atak demokracisë.
Zgjedhjet nuk mund të shtyhen, e as ligji nuk e lejon. Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme mund të shtyhen zgjedhjet, por për këtë duhet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme dhe më pas ato të ndodhin ose kërkon një dakordim të krejt skenës politike për të ndodh ajo, dhe me të cilën unë mendoj se opozita ka pasur shumë të drejt që ka qenë kundër”, u shpreh ai.
Selmanaj ka folur edhe për kërkesën që VV-ja e kishte vitin e kaluar për zgjedhje. Ai thotë se situata ishte më e rëndë. Madje thotë se dilnin në protesta me mijëra njerëz.
“Ne duhet t’i zbatojmë të gjitha masat që kërkohen nga institucionet kompetente profesionale që procesi të jetë krejtësisht i kontrollueshëm dhe njerëzit mos të gravitojnë shumë në kontekst të shpërndarjes së pandemisë. Është krejtësisht e pakuptimtë ajo përpjekje sepse në shumë vende tashmë kanë realizuar zgjedhje, ku edhe ne kemi realizuar zgjedhje në situatë shumë më të rëndë. Madje kur kishim situatë të rëndë të pandemisë, këta (VV-ja) kërkonin zgjedhje, madje dilnin në protestë me mijëra njerëz, dhe mund ta konsideroj se fitorja e parë e demokracisë në Kosovë në këtë fazë”, u shpreh ai
E ftesën që iu bëri presidentja partive që nuk janë të certifikuara nga KQZ-ja, Selmanaj i quan pjesë e skenarit dhe arrogancë të numrave. Thotë se presidentja Osmani duhet të zhveshët nga ndikimi që e ka nga kryeministri Kurti. Thotë se nëse këtë nuk e bën, atëherë sipas tij i mbetët epiteti “instrumenti i dikujt tjetër por jo presidente e vendit”.
“Pjesë e skenarit të presidentes dhe të zotri Kurtit, dhe kanë menduar se arroganca e numrave mund të sjellë gjithçka në Kosovë, dhe ata mund të zbatojnë çfarëdo mendimi që mund t’i tekët dikujt në gjysmë të natës dhe mund ta realizojë në Kosovë. Demokracia është sport i rëndë politik. Nuk e kuptojnë këtë tash por dikur më vonë e kuptojnë se nuk është e lehtë të vendosësh rregulla mbi demokracinë, sepse si e tillë është pranuar në të gjitha vendet e botës dhe ne e pranojmë si të tillë. Është mirë që presidentja në atë kapacitetin e saj që të zhveshët nga ndikimi i madh që e ka nga kryeministri Kurti, dhe e ka mundësinë që të dëshmohet si një udhëheqëse e shtetit, por nëse nuk e bën këtë, atëherë dalin ato vlerësimet tona që kanë qenë se ajo është instrumenti i dikujt tjetër por jo presidente e vendit”.
Kritika në drejtim të Qeverisë Kurti, Selmanaj ka edhe për menaxhimin e pandemisë. Thotë se të gjitha vendimet që i kanë marrë kanë qenë në dëm të vendit, duke përmendur largimin e stafit shëndetësor nga puna dhe ndaljen e shtesave për mjekë dhe policë.
“Kur e kemi marrë ne qeverinë me Avdullah Hotin, situata ka qenë më e rëndë dhe më shumë të panjohura të pandemisë. Ne e menaxhuam pandeminë, ne i mobilizuam afro 1 miliard euro në ekonomi, i dyfishuam subvencionet në bujqësi. Kemi mobilizuar fondet e trustit pensional, që iu kemi mundësuar që t’i tërheqin e 10 përqindëshit të tyre, pra të gjitha këto, fillimisht numri i vdekjeve të jetë i vogël, të mos vërehen pasojat ekonomike e që njerëzit ta kalojnë më lehtë në aspektin ekonomik dhe në mirëqenien sociale. Por çfarë kanë bërë këta, të gjitha veprimet e mira që i kemi marrë ne, asnjë nga to nuk i kanë bërë, madje kanë shkuar në regres. I kanë larguar të gjithë mjekët e infermierët e që ne i kemi pranuar si staf shtesë për menaxhimin e pandemisë. I kanë ndalë të gjitha shtesa për policë e personel shëndetësor”, u shpreh ai.
E rikthimin e LDK-së, Selmanaj e sheh në zgjedhjet e 17 tetorit. Ndërkaq për zgjedhjet e 14 shkurtit, ku Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind e sheh si aksidentale.
“LDK-ja është jashtëzakonisht e përgatitur dhe po e pret me besim të plotë një kthim të madh të besimit. Jam i bindur që rezultati i 14 shkurtit nuk është real për LDK-në por ka qenë aksidental, dhe mendoj edhe për një pjesë të madhe të skenës politike në Kosovë, për të cilën ka fituar narracioni mashtrues, pra të gjithë partitë politike i futën një thes… por njerëzit gradualisht po fillojnë të gjykojnë rracionalisht, dhe e shohin se kush janë këta në të vërtetë”, u shpreh Selmanaj për EO.