Lajme

Selmanaj për mosdekretimin e Isufajt: S’ka të bëj me procedurën por me personin, mjafton t’i referohemi fjalimit të Kurtit në kuvend

10/19/2023 15:45
nga:N K

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, në emër të grupit parlamentar të kësaj partie, ka shprehur shqetësimet për veprimet dhe siç tha ai, qasjen anti-kushtetuese të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për mos-emërimin e Blerim Isfuajt si kryeprokuror.

Selmanaj tha se Osmani para dy ditësh dëshmoi që për 18 muaj ka abstenuar në ushtrimin e detyrimeve që ia ka përcaktuar kushtetuta.

“Pra, presidentja e vendit, Kosovën e ka lënë mbi 18 muaj pa kryeprokuror të saj, përkatësisht institucionin e pavarur që ka autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale të personave të akuzuar për ndonjë vepër penale”.

“Vendimi i presidentes për mos-emërimin e kandidatit të propozuar nga KPK bie ndesh me nenin 84, paragrafi 17 i Kushtetutës së Kosovës. Sipas këtij neni, kompetencat e presidentes për emërim dhe shkarkim kufizohen vetëm në aspektin ceremonial”.

“Presidentja e Kosovës nuk mund të kontrollojë meritën e propozimeve që vijnë nga KPK-ja, pra presidentja nuk mund të ushtrojë kontroll substanciale mbi propozimet e KPK-së. E vetmja hapësirë që ka në dispozicion presidentja është kontrolli i rregullsisë procedurale të ndjekura nga KPK-ja”, tha Selmanaj.

Tutje, Selmanaj tha se arsyetimet e Osmanit se ajo ka pritur 18 muaj për të kuptuar se çka do të ndodhë me ankesat e kandidatëve në instancat e rregullta dhe Gjykatën Kushtetuese, nuk qëndrojnë fare, sepse sipas tij, çështjet kishin të bëjnë me afatshmërinë e ankesave por jo edhe me parregullsitë e procesit.

“Se kjo çështje nuk ka të bëjë fare me procedurën por me personin, mjafton t’i referoheni fjalimit të Albin Kurtit në kuvend, ku asgjë nuk flet për procedurën por për personin”, tha ai.

Deputeti i LDK-së foli edhe për pretendimet e Osmanit se ajo është përballur me presione të paligjshme.

“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se në qoftë se nuk e dekreton do të vëmë dosje, do të ngrejmë aktakuza’. Në pyetjen e gazetarëve se pse s’janë denoncuar presionet e tilla në organet kompetente, ajo përgjigjet ‘kjo do të duhej të ishte procedura në rastet kur funksionon një sistem i drejtësisë, kjo është sikur të thuash ‘shko deponoje te ata që të kanë kërcënuar’’. E gjitha kjo pjesë është e tmerrshme në tërësinë e vetë”.

“E para e vendit që ajo hesht për vepra penale në të cilën ajo është subjekt. E nëse kjo vërtetë ka ndodhur, e presidentja s’i dërgon ato në organet kompetente, atëherë kjo është edhe një gënjeshtër e madhe e saj, ose ajo s’ka besim fare në institucionet shtetërore e cila vetë qëndron në hierarkinë më të lartë institucionale në Kosovë. Këto veprime janë skandaloze. Vendimi është skandaloz. Arsyetimet janë skandaloze”, tha Selmanaj.

Në fund, Selmanaj kërkoi nga kuvendi që në ditët në vijim të ndërmerr veprime konkrete për vendosjen e kushtetutshmërisë dhe rendit kushtetuese në kuvend.