Driton Selmanaj nga LDK ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për dështimin në realizimin e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore në administrimin e procesit zgjedhor, raporton GazetaBlic.
Ai theksoi se KQZ ka pasur probleme serioze, fillimisht me sistemin për përpunimin e rezultateve preliminare dhe tani me nisjen e numërimit fizik të votave në qendrat e numërimit, sidomos në Prizren, ku procesi ende nuk ka filluar.
Selmanaj kërkoi hetim dhe përgjegjësi administrative dhe penale ndaj KQZ-së për të rikthyer besimin në zgjedhje dhe nënvizoi se të gjitha këto probleme ndodhen edhe pse kishte kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.
Ai ngriti pyetjen: Çfarë do të ndodhte nëse do të ishin mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme?
E plotë:
KQZ, po dështon në realizimin e detyrimit kushtetues dhe ligjor për administrimin e procesit zgjedhor.
Fillimisht ju dështoj sistemi për procesimin e rezultateve preliminare, kurse tash po ju dështon fillimi i procesit të numërimit fizik, në qendrat e numërimit nëpër qytete. Edhe pse sot është dita e 3-të pas përfundimit të zgjedhjeve, në Prizren ende nuk është gati për të filluar ky proces.
Hetimi dhe përgjegjësia administrative dhe penale e KQZ është e domosdoshme, për rikthimin e besimit në këtë proces!
Besimi tashmë është cenuar!
P.S. Gjithë këto probleme u paraqiten edhe pse kishin kohë të mjaftueshme në dispozicion.
Çfarë do ndodhte po t’i kishim zgjedhjet e jashtëzakonshme?


