Lajme

Sela: S’jemi pjesë e garës së rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale

05/07/2024 23:54
nga:Sh R

Në Maqedoninë e Veriut më 8 maj mbahen dy palë zgjedhje: rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, si dhe zgjedhjet parlamentare.

Duke komentuar mundësinë se kë nga dy kandidatët për president mund ta mbështesë Fronti Evropian, Zijanin Sela nga partia Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë Veriore, tha se ata tashmë janë deklaruar për këtë rund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, teksa shtoi se një gjë e tillë është vetëm në dorë të qytetarëve.

“Fronti Evropian është deklaruar për rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Ne s’jemi pjesë e garës në këtë rund, e drejta e votës në këndvështrimin tim dhe të Frontit Evropian, është e drejtë ekskluzive dhe e shenjtë e qytetarit. Ne e respektojmë atë, qytetarët e kanë në dorë se si do ta përdorin”, deklaroi Sela përmes një lidhjeje direkte në Tëvë1.

I pyetur se a pret që të ketë reflektim të rezultatit nga rundi i parë i zgjedhjeve, Sela vlerësoi se ai rund ishte reflektim real i cili ka dhënë qartazi verdiktin.

“Rundi i parë ishte reflektim real i cili e dha qartazi verdiktin se prapa kujt rreshtohet diferenca rreth 40 mijë votave e kandidatit të Frontit Evropian, në raport të Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit, flet qartazi për virdiktin shqiptar. Në zgjedhjet e 8 majit, kjo diferencë vetëm do të thellohet më tepër, raporti i Frontit Evropian”, potencoi tutje Sela.

Bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve, më 24 prill, kur në garë ishin shtatë kandidatë, në zgjedhje dolën rreth 49 për qind e 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Të mërkurën, në garë janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova nga VMRO DPMNE, që fitoi 363.000 vota dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski nga LSDM me 180 mijë vota.