Prokuroria Speciale ka realizuar një aksion me Policinë e Kosovës në Ferizaj, ku janë sekuestruar rreth 15 kilogramë heroinë.
Gjatë këtij aksioni janë arrestuar dy të dyshuar.
Në aksion ka marrë pjesë edhe Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj.
“Një operacion i përbashkët me Policinë e Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar për posedim dhe shitblerje të substancave narkotike. Aksioni i realizuar sot në Komunën e Ferizajt, me pjesëmarrjen e prokurorit të rastit, Kryeprokurorit të PSRK-së, si dhe njësive të Policisë së Kosovës, është rezultat i një hetimi të gjatë mbi dyshimet për veprimtari të një grupi të organizuar kriminal. Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar rreth 15 kilogramë substancë të dyshuar të llojit heroinë. PSRK-ja, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”, thuhet në njoftim.


