Njësia e Krimeve Ekonomike në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë zhvilluar një aksion të gjerë, i cili nisi në orët e para të mëngjesit të sotëm, kundër korrupsionit me ndërtimet pa leje në Brezovicë.
Në një konferencë për media, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari dhe prokurorin i rastit Rasim Maloku, kanë dhënë detaje për këtë aksion.
Në këtë konferencë u tha se përveç arrestimit të 10 personave, janë sekuestruar 61 mijë euro, 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri e telefona, etj.
“Janë sekuestruar para, armë vetura, dokumente. Janë bastisur dy zyre të kuvendit komunal të Shtërpcës si ajo e kadastrës dhe urbanizmit. Janë ndaluar ish -kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori I gjeodezisë dhe urbanizimit, inspektorë komunal pronarë të kompanive të ndërtimit, disa qytetarë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare marrje dhe dhënie të ryshfetit”, tha Jashari.
“61 mijë euro të sekuestruara, monedha si dinarë, franga zvicerane, dollarë…Pushkë ajrore, 4 pistoleta, 2 pushkë gjuetie, karikatorë, gëzhoja, fishekë…8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, 13 telefona”, njoftoi përfaqësuesi i Policisë në këtë konferencë.
Kurse prokurori Rasim Maloku deklaroi se hetimet për këtë rast do të vazhdojnë.
“Në vitin 2020 kemi filluar hetim të ri ndaj 10 personave, tani kemi zgjedhur hetimin edhe ndaj personave tjerë nën dyshimin për korrupsion, marrje ryshfeti, ushtrim ndikimi etj. Në këtë çështje do të vazhdojmë edhe më tutje dhe askush nuk do të jetë i paprekur”, tha ai.