Lajme

Sekuestrimi i vilës së Radoiçiqit/ VV-ja: Ky veprim tregon angazhimin e institucioneve të Kosovës për të zbatuar drejtësinë dhe ligjin

07/26/2024 23:42
nga:N K

Me ndryshim-plotësimet e një udhëzimi administrativ, të miratuara nga Qeveria e Kosovës, pronat e sekuestruara të biznesmenit serb nga veriu i Kosovës, Milan Radoiçiq, do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës, përkatësisht Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua deputeti nga Lëvizja VetëVendosje, Enver Dugolli. Ai thotë se e përshëndet vendimin e Qeverisë që këto prona të kalojnë në përdorim nga organet e sigurisë së Kosovës, pasiqë që sipas tij deri tani janë shfrytëzuar nga banda e Radoiçiqi për sulme ndaj Kosovës.

“E përshëndes vendimin e Qeverisë qe pronat e konfiskuara të kriminelit dhe terroristit Radoiçiq ti kalojnë në përdorim dhe shfrytëzim organeve të sigurisë së Republikës së Kosovës. Ato prona janë shfrytëzuar për një kohë të gjatë si baza të Radoiçiqit dhe bandave të tij për të luftuar shtetin e Kosovës dhe interesat e qytetarëve tanë duke i mbajtur nën terror të vazhdueshëm”, deklaroi ai.

Dugolli tutje tha se fakti që organet e sigurisë së vendit operojnë në ato objekte, sipas tij kjo do të thotë që siguria sa do të rritet e forcohet.

“Tash organet legjitime të Republikës tonë do zhvillojnë aktivitetet e tyre në dobi të forcimit të rendit dhe ligjit duke siguruar ambient të sigurt për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim. Me vetë faktin që organet tona të sigurisë do operojnë në ato objekte, kjo nënkupton që siguria në ato objekte dhe për rreth tyre veç sa do të rritet e forcohet”, përfundoi deputeti nga VV-je Enver Dugolli.

Po ashtu lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua anëtari i komisioni për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, nga radhët e VV-së Mefail Bajqinovci. Ai vlerëson këtë veprim si angazhim të institucioneve të Kosovës për të zbatuar drejtësinë dhe ligjin.

“Ky veprim tregon angazhimin e institucioneve të Kosovës për të zbatuar drejtësinë dhe ligjin, duke konfiskuar pasuri të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe duke i përdorur ato për të mbështetur funksionet shtetërore, sidomos në fushën e sigurisë. Terroristëve duhet të ju konfiskohen çdo gjë që e posedojnë”, tha deputeti nga VV-je Mefail Bajqinovci për GazetaBlic.

/GazetaBlic/