Lajme

Sekretari dhe rektori i UP-së shkelin rregulloren, reagon ashpër Parlamenti Studentor

06/21/2022 20:23
nga:Astrit Gashi

U.D. i Sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Besfort Krasniqi, i etur për të marrë mandatin e përhershëm të njeriut kryesor të administratës së UP-së, ka vendosur të bëjë interpretim të Rregullores për Zgjedhjet Studentore në kundërshtim të plotë me Statutin e UP-së si akti më i lartë juridik i universitetit, thuhet në komunikatën për shtyp të Parlamentit Studentor.

U.D. i Sekretarit, duke qenë i shantazhuar– ka vendosur t’i bëjë favore një pjesë të udhëheqjes së universitetit dhe disa organizatave të afërta dhe pjesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

U.D. i Sekretarit Besfort Krasniqi dukë bërë shkelje ligjore, duke keqpërdorur detyrën zyrtare për t’i bërë favor disa organizatave studentore, ka shkelur rëndë Statutin e UP-së ku saktësohet se mandati i organeve të zgjedhura studentore fillon me 1 tetor dhe zgjatë dy vjet.

Neni 44: “Mandati i anëtarëve nga radha e studentëve është një vit, pa të drejtë të rizgjedhjes. Mandati i tyre fillon me 1 tetor”.

Neni 16, paragrafi 3 specifikon, po ashtu, se mandati i organeve qeverisëse fillon më 1 tetor: “Mandati i të gjithë zyrtarëve qeverisës dhe autoriteteve qeverisëse e anëtarëve të tij fillon me 1 tetor, nëse nuk përcaktohet ndryshe me këtë Statut”.

Në frymën e Statutit, edhe Rregullorja për Zgjedhjet Studentore e përcakton qartë se kur fillon mandati i atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje studentore.

Neni 53, “Mandati dhe verifikimi i mandatit”, paragrafi 1 shkruan: “Mandati i anëtarëve të PS/KS fillon më 1 tetor të vitit kur janë mbajtur zgjedhjet studentore”.

Statuti dhe Rregullorja e Universitetit të Prishtinës janë të qarta, nuk kanë dykuptimësi, sqarojnë në detaje kur merret mandati i secilit organ qeverisës edhe i senatorëve të dalë nga zgjedhjet studentore.

Bazuar në këto që janë shkruar më lartë, U.D. i Sekretarit të UP-së, Besfort Krasniqi në mënyrë të dhunshme ka ndërprerë mandatet e ligjshme të senatorëve aktual, të cilët kanë mandat deri më 30 shtator 2022.

Në mënyrë kundërstatutare, rektori i UP-së ka vendosur që në mbledhjen e thirrur të Senatit për 26 qershor tu mundësojë senatorëve të rinj të jenë pjesë e votimit për zgjedhjen e 5 anëtarëve të Këshillit Drejtues. Edhe pse senatorët e rinj, në bazë të Statutit dhe Rregullores, mandatin e marrin më 1 tetor.

Edhe kryetari i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në raportin përfundimtar, profesor Florent Muqaj ua ka konfirmuar se mandati i organeve të reja fillon më 1 tetor.

Këto dhe plot fakte tjera do t’i deponojmë në të gjitha institucionet shtetërore duke nisur nga Kryeprokurori i Shtetit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Agjencia Antikorrupsion, ambasadave kryesore ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile.

Në ditët në vazhdim do të ngrisim Kallëzim Penal ndaj U.D. të Sekretarit dhe Rektorit Naser Sahiti, nëse ky i fundit nuk ndërmerr veprime të shpejta për të vendosur ligjshmërinë në Universitetin e Prishtinës, thuhet në komunikatë.