Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dardan Sejdiu, ka komentuar situatën politike pas zgjedhjeve dhe përpjekjet për konstituimin e institucioneve të reja.
Sejdiu ka thënë se për ta kuptuar, siç e quan ai, “lojën e VV-së”, duhet nisur nga numri 53, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 nga 120 ulëset në Kuvend.
Sipas tij, VV-ja ka fituar bindshëm, por nuk i ka numrat e nevojshëm për ta ndërtuar e vetme pushtetin, pasi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë duhen 61 vota, ndërsa për zgjedhjen e Presidentit në dy raundet e para nevojiten 80 vota.
“61 apo 62 vota nuk tregojnë vetëm që Kuvendi mund të konstituohet. Tregojnë edhe sa e brishtë është shumica e ardhshme”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka argumentuar se zvarritja e procesit mund t’i shërbejë politikisht VV-së, pasi, sipas tij, përderisa nuk testohet shumica prej 61 votash, ruhet paqartësia dhe hapësira për negociata.
Sejdiu ka ngritur edhe çështjen e një koalicioni të mundshëm mes VV-së dhe LDK-së. Sipas tij, bashkimi i 53 deputetëve të VV-së me 18 të LDK-së do të krijonte një shumicë prej 71 deputetësh.
“Një koalicion 71-sh do ta bënte Qeverinë më të fortë. Por Kurtin më të dobët”, ka shkruar ai.
Duke iu referuar zhvillimeve politike të vitit 2020, Sejdiu ka thënë se përplasja mes Kurtit dhe LDK-së, që çoi në rrëzimin e Qeverisë, dëshmoi se kryeministri ishte i gatshëm të rrezikonte stabilitetin politik në vend se të pranonte kufizimin politik nga partneri.
“Edhe sot logjika është e njëjtë: më mirë një shumicë minimale që e dominon, sesa një shumicë e madhe që të kufizon”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai e ka cilësuar edhe pozitën e Presidentit si një prej nyjeve kryesore të situatës aktuale, duke argumentuar se një President autonom dhe i pavarur merr peshë të veçantë kur shumica qeverisëse nis me vetëm 53 deputetë.
Sejdiu ka përmendur edhe rastin e Vjosa Osmanit, duke thënë se ajo erdhi në Presidencë si aleate e Kurtit, por më pas institucioni u zhvillua deri diku si qendër autonome e pushtetit.
“Kjo nuk provon motivin e tij. Por ideja politike është e qartë: një President autonom është një qendër pushteti që Qeveria nuk e kontrollon”, ka shkruar ai.
Në fund, Sejdiu ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk është ndërtuar mbi logjikën “fituesi i merr krejt”, por mbi ndarjen dhe kontrollin e pushtetit.
“Pra 61 dhe 80 nuk janë pengesa teknike. Janë mesazh kushtetues. Ke fitu. Por jo krejt”, ka shkruar ai.
Sa u përket partive tjera, Sejdiu ka përmbledhur qëndrimet e tyre duke thënë se PDK-ja kërkon që VV-ja të qeverisë pa të, AAK-ja ka ofruar kuorum me gjashtë zotime, ndërsa LDK-ja ka deklaruar se nuk kërkon as Qeverinë dhe as Presidencën, por kontribuon për një President konsensual.
Sipas tij, pyetja kryesore tani nuk është çfarë kërkojnë partitë tjera, por çfarë kërkon VV-ja.
“VV nuk po lufton vetëm me formu Qeverinë me 53 mandate. Po lufton me e zvogëlu sa më shumë kufizimin që fakti se i ka vetëm 53 mandate ia vendos pushtetit të saj”, ka përfunduar Sejdiu.


