Gazetari Idro Seferi ka dhënë komentet e medieve dhe opinionit serb se si e panë paraqitjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, nga veriu i Kosovës.
Seferi tha se mediet serbe në ditën e parë nuk u morën me rastin, ku tek të nesërmen ishte presidenti Vuçiq ai i cili në një ngjarje u pyet për të.
“Ai (Vuçiq) tha se i duket fare normale pasi Radoiçiq jeton në Kosovë por dihet se Beogradi në vazhdimësi e ka mbështetur atë dhe ai është paraqitur edhe në ngjarje qeveritare që ka marrë pjesë si përfaqësues i serbëve të Kosovës”, është shprehur Seferi.
Seferi bëri të ditur se serbët në veri e ndjejnë Radoiçiqin si problem e kërcënim, por në anën tjetër, sipas tij, kjo s’është komentuar shumë në qarqe të tjera përveç presidentit serb, pasi Radojçiq është mbështetur nga qeveria, teksa shtoi se ai është konsideruar si i pafajshëm, pasi në momentin që është ngritur aktakuza ndaj tij, Radojçiq është testuar në poligraf në Serbi “dhe është thënë që e ka kaluar atë”, është shprehur Seferi.
“Pra, i vetmi problem që është raportuar në Serbi është se Radoiçiq gjendet në listën e zezë të ShBA-së dhe kjo nuk shihet shumë mirë por gjithsesi shtypi nuk është marrë me këtë çështje”, është shprehur Seferi.
Tutje, ai thotë se në Serbi ka pasur një ngurrim që të kritikohen veprimet e Milan Radojçiqit, i cili bashkë me Zvonko Veselinoviq janë shpallur si persona “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe janë parë shumë shpesh të afërt me pushtetin dhe si mjet për zhvillimet që ndodhin në veri të Kosovës.
Ndryshe, Milan Radojçiq ditën e djeshme përmes një videomesazhi është paraqitur befasisht nga veriu i Kosovës duke thënë se “terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe të gjithë serbët dhe atyre të tjerëve më lejoni t’u them se unë jam këtu. Jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu më s’ka kthim prapa. Rroftë Serbia”.
Ai është i kërkuar nga drejtësia kosovare për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq por edhe për rastin e njohur si “Brezovica”.