Lajme

Seanca e përbashkët, Berisha: Në vend që kjo seancë të shfrytëzohej për të forcuar marrëdhëniet ajo u përdor për qëllime elektorale

12/20/2024 16:19
nga:Sh R

Deputeti nga Parita Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha, thotë se kuvendi i përbashkët i dy parlamenteve është shndërruar në një platformë për qëllime politike, duke u larguar nga fokusi te projekte konkrete që ndikojnë qytetarët e dy vendeve.

“Kuvendi i përbashkët i dy parlamenteve është shndërruar në një platformë për qëllime politike, duke u larguar nga fokusi te projekte konkrete që ndikojnë qytetarët e dy vendeve. Megjithatë, Kryeministri i Shqipërisë përcolli mesazhe për rëndësinë e vizionit euroatlantik të Kosovës dhe nevojën për të ruajtur këtë orientim strategjik. Me një gjuhë të përmbajtur, ai sugjeroi lidershipit kosovar rifokusimin e diskursit nga retorika nacionaliste drejt qasjeve euroatlantike, që janë përcaktuese për të ardhmen e përbashkët të rajonit”, tha Berisha.

Berisha thotë se në vend që kjo seancë të shfrytëzohej për të forcuar marrëdhëniet ajo u përdor për të mbuluar dështimet qeverisëse dhe për qëllime elektorale.

“Seanca e parë e përbashkët e të dy kuvendeve tona u mbajt me motivin e përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Po sot, cili është motivi apo qëllimi i kësaj seance të përbashkët? Përgjigjet mund të ishin të fuqishme dhe kuptimplota, nëse do t’i referoheshim mesazheve të thella prej “babai të kombit” që Kryeministri i Shqipërisë transmetoi. Titull që Kurti, pas dështimeve të tij për të ndërtuar një lidership gjithëpërfshirës e dominim politik kombëtarë, duket se është kthyer drejt kompromisit të detyruar. Fatkeqësisht, në vend që kjo seancë, që u shfaq si një platformë për mesazhe të përsëritura, të shfrytëzohej për të forcuar marrëdhëniet dhe për të shtyrë përpara projektet konkrete mes dy vendeve, ajo u përdor për të mbuluar dështimet qeverisëse dhe për qëllime elektorale. Madje, fakti që kjo seancë mbahet në kohë fushate elektorale ngre pikëpyetje të shumta mbi qëllimin e saj të sinqertë dhe përkushtimin ndaj interesave të popullit të thjeshtë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera ai thotë se fjalimet e liderëve qeveritarë dhe parlamentarë në këtë seancë nuk ofruan më shumë sesa një kurtoazi të zakonshme, me urime për fundvitin. Ato nuk transmetuan ndonjë mesazh konkret apo vizion që të frymëzojë për të ardhmen.

Sipas tij seanca kishte një qëllim që të shërbente si platformë për mbështetje elektorale të Kurtit, ndërsjellë ndërmjet dy liderëve socialistë, veçanërisht për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë

“Është ironike që këta dy kryeministra, që dikur nuk arritën të gjenin një pikë të përbashkët për të mbajtur një mbledhje të përbashkët të qeverive në emër të përmirësimit të bashkëpunimit strategjik, sot u paraqiten si bashkëpunëtorë. Ende mbeten të kufizuara mundësitë për ta kthyer dashurinë kombëtare në politika të përbashkëta konkrete në fushat politike, ekonomike dhe të sigurisë. Premtimet e bëra kanë mbetur ende të papërmbushura. Në këtë kontekst, kujtojmë mbledhjet e përbashkëta të qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku partia e Kurtit është partnere në qeverisje. Çfarë është arritur konkretisht? Shqyrtimi i një ligji që konteston gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në një shtet ku shqiptarët janë komunitet shtetformues. Për më tepër, kemi parë arrestime të shqiptarëve nga qeveria maqedonase dhe, në disa raste, me kërkesën e Serbisë, duke përkeqësuar më tej situatën. Fjalimet e liderëve qeveritarë dhe parlamentarë në këtë seancë nuk ofruan më shumë sesa një kurtoazi të zakonshme, me urime për fundvitin. Ato nuk transmetuan ndonjë mesazh konkret apo vizion që të frymëzojë për të ardhmen. Kjo u pasqyrua edhe në raportimet për pretendimet e supozuara për arritje nga bashkëpunimi Rama-Kurti. Përkundër fjalëve të shumta, rezultatet e përmendura mbeten të paqëndrueshme dhe të palidhura me realitetin e qytetarëve apo bizneseve. Kjo e bën të qartë se seanca kishte një qëllim që të shërbente si platformë për mbështetje elektorale të Kurtit, ndërsjellë ndërmjet dy liderëve socialistë, veçanërisht për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.”, shtoi ai.

Tutje Berisha thotë se kjo seancë u keqpërdor për të bërë reprizën e premtimeve të papërmbushura dhe për të paraqitur rezultate të pretenduara me një gjuhë që zbulon ndjesinë e humbjes.

Kryeministri Kurti, nën hijen e lisit të Kryeministrit Rama, përpiqej të krijonte një narrativë heroike për veten, pasi nuk ka asgjë tjetër konkrete për t’u paraqitur qytetarëve të Kosovës

“Prandaj, kjo seancë u keqpërdor për të bërë reprizën e premtimeve të papërmbushura dhe për të paraqitur rezultate të pretenduara me një gjuhë që zbulon ndjesinë e humbjes. Kryeministri Kurti, nën hijen e lisit të Kryeministrit Rama, përpiqej të krijonte një narrativë heroike për veten, pasi nuk ka asgjë tjetër konkrete për t’u paraqitur qytetarëve të Kosovës. Nga kjo mendoj se rekomandimet për të ardhmen, përfshijnë nevojen që Kryeministri i Shqipërisë, në përputhje me detyrimet kushtetuese, të ndërmarrë hapa për të mbajtur mbledhje të përbashkëta me qeveritë e vendeve përreth, duke u fokusuar në të drejtat dhe statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Greqi dhe Serbi. Ndërkohë, kritikat e drejtuara Kosovës duhet të bëhen pjesë e një mbështetjeje strategjike në forumet ndërkombëtare, ku vendoset për zhvillimin e saj demokratik dhe përmbylljen e shtetësisë së saj. Kuvendet e përbashkëta do të fitonin vlerë vetëm nëse do të përqendroheshin te projekte konkrete me ndikim të drejtpërdrejtë mbi qytetarët e të dy vendeve tona. Në të kundërt, ato do të mbeten një mirazh i politikës, larg realitetit të bashkëpunimit të mirëfilltë.Gëzuar festat e fundvitit për të gjithë shqiptarët!”, përfundoi Berisha.