Lajme

Seanca e jashtëzakonshme, Shala i PDK-së: Këto janë aferat e VV’së në KEK

04/26/2023 11:41
nga:G C

Ferat Shala nga PDK-ja thotë se partia në pushtet nuk i ka marrë asnjëherë parasysh kërkesat që i ka dorëzuar opozita në lidhje me krizën energjetike, raporton GazetaBlic.

Shala në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka përmenduar disa nga aferat që sipas tij kanë ndikuar në krizën e energjisë elektrike.

Tutje, ai përmendi edhe reagimet e VV-së për mbrojtjen që ia bën Nagip Krasniqit.

“Me dhjetëra herë kemi dhënë propozime si Grup Parlamentar se si të dilet nga kriza, si të menaxhohet kriza. Asnjë nga idetë nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Ekonomisë e as nga kryeministri, aq më pak nga ndërmarrja KEK”, tha ai.

“Vendimi politik për të instaluar në KEK strukturën 100% politike e të dëgjushme. Bord dhe menaxhment me militant pa përvojë profesionale. Struktura të instaluara të Qeverisë përmes Ministrisë së Ekonomisë nuk kanë nxjerr asnjë akt të ri normativ, asnjë koncept zhvillimor. Të vetmet objektiva dhe direktiva politike ishin vendosja e kuadrove të reja, në vend të atyre që pasuan duke i vendosur të gjitha strukturat me ushtrues detyre.Parim bazë i këtij menaxhmenti rezulton të jetë përfitimi material në mënyrë të organizuar në asetet e KEK-ut për interesa individuale të VV-së në krye me kryeministrin Kurti”, shtoi ai.

“Shqetësuese është edhe reagimi i VV-së në mënyrë vulgare në mbrojtjen që i bën kryeshefit, Nagip Krasniqin, në vend që të mbështetet drejtësia”, tha Shala.