Lajme

Së shpejti gjatë vikendit nga 10 në 30 barnatore të hapura në Prishtinë

01/24/2024 11:13
nga:G B

Problemi i mungesës së barnatoreve të hapura në Prishtinë gjatë ditëve të vikendit së shpejti do të marrë fund. Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku në “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së ka treguar ecurinë e rritjes së numrit të barnatoreve të hapura.

“Është bërë një propozim në Kuvend, që të zgjatet orari i barnatoreve deri në ora 23:00 dhe gjatë vikendit me qenë 30 barnatore të hapura, nga 10 sa punojnë deri më tani. Ky orar është bazuar edhe në vendet e rajonit”, ka thënë ai.

Ndërkaq gjatë ditëve të javës në orarin e mesnatës, barnatoret rreth Qendrës Klinike Universitare të Kosovës do të jenë të hapura.

“Ditëve të javës do të jenë pesë barnatore por pas orës 23:00 do të jenët hapura ato që janë afër QKUK-së. Ato do të punojnë me rrotacion, me një perimetër prej 500 metrash”, ka thënë Sadiku, transmeton RTKlive.

Përveç mundësisë së qasjes në ultrazërin e barkut në pesë qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë, një projekt tjetër që pritet të nis është çdo qytetar të ketë mjekun e vet familjar.

“Ka filluar pilotimi i projektit në dy lagje, në Dardani dhe Breg të Diellit. Çdo qytetar deri në fundvit do të duhej ta kishte një mjek familjar. Sivjet do të ndodh regjistrimi i popullsisë dhe do të na tregoj sa banorë i kemi dhe sa është mungesa e numrit të mjekëve. Kjo është përparësi për qytetarin sepse mjeku familjar e di historinë tuaj”, ka thënë ai.