Sporti

Mashtruan për shpenzime, pezullohen 7 gjyqtarë të Serie A

05/21/2021 09:06
nga:Mergim Rreci

Prokuroria e Federatës Italiane të Futbollit ka hapur një hetim për disa parregullsi në rimbursimin e shpenzimeve në sektorin e arbitrimit.

Federata, në marrëveshje me Shoqatën e Arbitave, menjëherë ndërmori disa masa pas një raporti mbi parregullsitë administrative në lidhje me rimbursimet në të gjitha nivelet.

Sipas burimeve mediatike janë 7 persona të mundshëm të pezulluar: 3 gjyqtarë kryesorë dhe 4 asistentë.

Sipas asaj që mësohet, përfundimi i veprimtarisë hetimore duhet të mbyllet në ditët në vijim. Fabricio Paskua, Federiko la Pena dhe Ivan Robilta janë arbitrat kryesorë të Serisë A që mund të jenë pezulluar si masë paraprake, ndonëse nuk konfirmohet.

Teksa vijojnë hetimet, Shoqata e Arbitrave Italianë ka reaguar pas lajmit. “Në zbatim të transparencës maksimale kryesia e re e AIA-s (Shoqata e Arbitrave Italiane) ka nisur auditime të brendshme administrative dhe të kontabilitetit për pajtueshmërinë e rimbursim-shpenzimeve të paguara për aktivitetet teknike.

Nga kontrollet e kryera janë gjetur mospërputhje në përpilimet e hartuara. Presidenca e AIA-s ia ka dërguar dokumentacionin prokurorisë që në 21 prill. Në pritje të përfundimit të hetimeve, bashkëpunëtorët e përfshirë në këtë çështje janë pezulluar”, mbyllet njoftimi.