Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Washington, D.C., me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau.
Siç ka njoftuar Presidenca, gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti amerikan Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e Presidentit Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja Osmani foli poashtu edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump. Ajo përmendi, ndër të tjera, heqjen e tarifave për produktet amerikane, marrëveshjen për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimin me politikën e jashtme amerikane, si dhe harmonizimin e plotë të listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani ngriti gjithashtu çështjen e shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës amerikane për adresimin e kësaj çështjeje.
Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Presidentja shprehu mirënjohje për qëndrimin e qartë të Administratës Trump se dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke, si dhe për përjashtimin e ideve për ndryshime kufijsh apo ndarje, të cilat u cilësuan si të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ky ishte takimi i dytë bilateral mes Presidentes Osmani dhe Zëvendës Sekretarit Landau brenda këtij viti, ku Osmani ritheksoi se Kosova do të vazhdojë të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit të përhershëm të saj.


