Lajme

Scholz kritikon komentet ‘e rrezikshme’ të Trumpit për NATO-n

02/13/2024 17:11
nga:Sh R

Kancelari gjerman i është kundërpërgjigjur komenteve të Donald Trumpit për NATO-n, duke e cilësuar si të rrezikshme “relativizimin” e klauzolës së mbrojtjes të aleancës dhe se kjo i shërben vetëm Rusisë.

Ndërsa Olaf Scholz nuk e përmendi me emër ish-presidentin e SHBA-së, komentet vijnë pasi Trump shkaktoi zemërim duke sugjeruar se amerikanët mund të mos mbronin aleatët e NATO-s nga një pushtim i mundshëm rus, nëse ata nuk do të shpenzonin mjaftueshëm për mbrojtje.

“Çdo relativizim i garancisë së ndihmës së NATO-s është i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm”, tha Scholz para gazetarëve pas një takimi me kryeministrin polak, Donald Tusk gjersa shtoi se “është vetëm në interesat e Rusisë. Askush nuk duhet të luajë apo të bëjë tregti me sigurinë e Evropës”.

Ndërkohë, Franca, Gjermania dhe Polonia u zotuan gjithashtu se do ta bëjnë Evropën më të fortë ndërsa frika rritet se një kthim i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë mund të lejojë përhapjen e agresionit rus.

Tusk udhëtoi për në Paris dhe më pas në Berlin, duke kërkuar lidhje më të forta me dy fuqitë më të mëdha të Evropës, ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohej vitit të tretë.

Anëtarët e NATO-s duhet t’i ndajnë për mbrojtjen e tyre 2 për qind të të ardhurave të tyre kombëtare.

Ndërsa Polonia ka arritur prej kohësh këtë nivel, Gjermania u bë një objektiv i Trumpit ndërsa ai ishte në pushtet për shkak të dështimit.

Pas pushtimit të Ukrainës, Berlini rriti shpenzimet për mbrojtjen dhe pritet të përmbushë standardin këtë vit.