Kupa e Botës 2022

Scaloni para finales së madhe: Do të mbetemi në histori, po i shijojmë këto momente

12/17/2022 13:37
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja e Argjentinës dhe ajo e Francës do të përballen në finalen e madhe të Kupës së Botës.

Kjo finale do të zhvillohet në ‘Lusail Stadium’, takim ky që fillon nesër në ora 16:00, shkruan GazetaBlic Sport.

Argjentina ka punuar në taktika të ndryshme në stërvitje për të qenë në gjendje të zhvillojë planin e saj ANTI-Mbappe, duke përfshirë një formacion me 5 futbollistë në mbrojtje.

Para këtij takimi, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni tha se po i shijojnë këto momente dhe se e gjitha kjo do të mbetet në histori.

Lionel Scaloni: “Duhet t’i shijojmë këto momente derisa të fillojë ndeshja. E gjithë kjo do të mbetet në histori.Triumfi ynë më i madh është se të gjithë ndihen pjesë e tij. Kjo është thelbësore. Franca ka një ekip që furnizon Mbappen dhe e bën atë një lojtar edhe më të mirë. Ai është një nga lojtarët e mëdhenj, është i ri dhe do të vazhdojë të përmirësohet. Ne do të tentojmë historinë, absolutisht që duam më shumë se gjithçka tjetër këtë trofe”.

/GazetaBlic Sport/