Sporti

Scaloni i shqetësuar për Finalissima-n

12/05/2025 18:42
nga:Mergim Rreci

Lionel Scaloni ka fituar dy herë Copa America dhe Botërorin si trajneri i një Argjentine të përbërë nga një brez i artë, të udhëhequr nga Lionel Messi.

Pas triumfit në Katar, “Albicelestet” kaluan një fazë kualifikuese të qetë, duke e mbyllur në vendin e parë.
Përpara se të tentojnë të mbrojnë titullin si kampionë bote, “Albicelestet” do të kenë një përballje të fortë kundër Spanjës.

Tekniku e pret “Finalissima-n” me padurim, por shqetësohet që nuk ka asnjë datë për këtë përballje të madhe.

“Nuk ka të bëjë shumë me parehatinë! Mendoj se kjo ndeshje mund të ishte luajtur më herët, ne jemi në pritje. Kam folur me Luis de la Fuente-n, i cili, përveçse është trajner i Spanjës, është edhe miku im. As ai nuk ka konfirmim!”

Tekniku argjentinas theksoi se përballja midis kampiones së Copa America dhe asaj të Evropës do të jetë spektakolare.

“E sigurt është se do të jetë një ndeshje spektakolare. Është kampioni i botës kundër kampionit të Evropës, një sfidë për t’u shijuar dhe që na lejon të kuptojmë se në çfarë pike jemi! Për Luisin, për mua dhe për Federatën Spanjolle është një ndeshje e bukur për t’u luajtur!”

Trajneri argjentinas foli edhe për atë nëse Lionel Messi do të luajë apo jo në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se në kombëtare do të mbështesin çfarëdo që ylli i futbollit të vendosë.