Lajme

“S’besoj që Kurti i del dikujt në fjalë”, a u arrit marrëveshje mes VV-së e NISMA-s?

05/29/2025 09:13
nga:G B

Mbrëmë, portali “Demokracia” raportoi se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj kanë arritur një marrëveshje për koalicion, e që u pretendua se Limaj do të jetë kandidati i ri për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Analisti Visar Dili nuk e beson një gjë të tillë, pasi sipas tij, një koalicion i mundshëm është vetëm mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nuk besoj se do të ketë një marrëveshje, kjo për shkak se nga disa burime dhe informacione që unë i posedoj, një person i afërt me të dyja partitë, me VV-në dhe PDK-në, më ka njoftuar se ekziston një marrëveshje në parim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së, që të shkohet në zgjedhje, dhe pas zgjedhjeve të ketë një koalicion PDK dhe Vetëvendosje. Është një ndërmjetësues që është duke ndërmjetësuar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së. Ai është vendor, dhe ekziston një vullnet shuam i madh që mes VV-së dhe PDK-së të ketë një koalicion të ardhshëm”, tha Dili, për “Ora Shtatë”.

Nga ana tjetër, analisti Sali Rexha shprehu mosbesim nëse Kurti mban fjalën, dhe shtoi se kryeministri në dorëheqje nuk ka interesim për krijimin e institucioneve të Kosovës.

“S’jam shumë i sigurt nëse ka marrëveshje, nëse nuk ka një fletë të shkruar. Nuk besoj që Kurti i del dikujt në fjalë, nuk mendoj që është i interesuar t’i krijojë institucionet”,  u shpreh nga ana tjetër Rexhaj.

Sakaq, gazetari Vullnet Krasniqi u shpreh skeptik lidhur me këtë marrëveshje që thuhet është arritur.

“Unë i shkruva dikujt, por mi la ‘seen’. Zakonisht kur VV do të mohoj diçka, e mohon përmes mesazhit. Këtë nuk e di qysh me e marr”, u shpreh Krasniqi.