Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës përmes një komunikate kanë thënë se shkoi viti 2024 pa asnjë lajm të mirë nga Qeveria.
Në komunikatë për media thuhet se Qeveria nuk ka “dashur të dëgjojë” për kërkesat e anëtarësisë.
“Anëtarësi e nderuar e SBASHK-ut kudo jeni, që nga çerdhet e deri në universitete, urojmë që viti që po vjen mos të jetë si ky që po e lëmë pas. Koleget e kolegët tanë në Arsimin Parauniversitar po bëjnë analiza të suksesit të nxënësve në përmbyllje të gjysmëvjetorit të parë dhe spontanisht edhe po përgatiten për festat e fundvitit. Është kjo koha edhe kur bëjmë vlerësime duke u kthyer nga janari e deri te ky muaji dhjetor, dhe fatkeqësisht vërejmë se shkoi edhe viti 2024 e nuk morëm as edhe një lajm të mirë nga Qeveria. U angazhuam dhe bashkërisht dërguam shumë shkresa te Qeveria dhe MASHTI duke përmendur kërkesat legjitime të anëtarësisë, por le që nuk u realizua as edhe njëra, por Qeveria Kurti e në veçanti znj. Nagavci as nuk deshti të dëgjojë për to dhe i iku vazhdimisht dialogut me SBASHK-un sepse e dinte se ne kemi fakte e argumente e ajo vetëm fjalë boshe e asgjë tjetër. Dalin e pa fije turpi flasin për rritje të dukshme pagash, por rritja ishte vetëm 28 euro teksa në Shqipëri kjo ngritje pagash është me qindra euro për vitin 2024.”, thuhet në reagim.
SBAShK ka përmendur edhe kontratën kolektive duke thënë se ministrja Nagavci “i iku dialogut dhe obligimit të saj për negociim”.
“Iu drejtuam me kohë Ministres për të bashkëbiseduar e negociuar Kontratën e re Kolektive, por ajo i iku dialogut dhe obligimit të saj për negocim me të vetmin qëllim që t’ju lë pa Kontratën Kolektive, që është bazë e fortë e ruajtjes së të drejtave tuaja të punës. Kërkuam kushte të mira pune, por Qeveria ju la të zhvilloni betejën për dije me shkumës e shpuzë, pra me kushte pune të shekujve të kaluar. Ju mblodhët 20.606 nënshkrime për nismën qytetare me kërkesën legjitime që t’u kthehet e drejta e fituar e që vitet e 90-ta të rinumëroheshin si vite kontributdhënëse. Kryetari i Parlamentit Glauk Konjufca na priti me buzëqeshje e na përgëzoi për këtë iniciativë duke premtuar se do të mundohet që kjo të dal sa më shpejt para deputetëve, por Qeveria doli edhe kundër kësaj iniciative dhe ajo këtë vit nuk arriti fare të deputetët për ta votuar dhe vazhdon realiteti i hidhur që vitet e 90-ta nuk iu pranohen punëtorëve arsimorë si kontributdhënëse, por a thua ishte kontribut i vogël mbajtja gjallë e shkollës dhe gjuhës shqipe dhe lëshimi i dëftesave e dokumenteve tjera me Republika e Kosovës?”
Në fund SBASHK ka uruar festat e fundvitit për të gjithë punëtorët e arsimit duke thënë se viti 2025 do të jetë vit i plotësimit të dëshirave dhe kërkesave të tyre.
“Punëtorë të arsimit, anëtare e anëtarë të SBASHK-ut, gëzuar festat e fundvitit me besimin e plotë se viti që po vjen do të jetë vit i plotësimit të dëshirave dhe i realizimit të kërkesave tuaja të arsyeshme e legjitime.”