Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka zhvilluar takime me shefat e Grupeve Parlamentare të partive kryesore në Kosovë, për të informuar ata mbi nismën legjislative nga qytetarët për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, raporton GazetaBlic.
Pas takimeve me Arben Gashin, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Mimoza Kusari Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Jasharaj dhe përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë takuar gjithashtu Besnik Tahirin, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe Abelart Tahirin, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Gjatë këtyre takimeve, Jasharaj, së bashku me nënkryetaren Vjollca Shala, koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, dhe zyrtarin ligjor Blendor Shatri, ka paraqitur arsyet e kësaj nisme legjislative dhe aktivitetet e deritanishme që do të çojnë në dorëzimin e mijëra nënshkrimeve te kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fillim të javës së ardhshme.
SBASHK-u ka kërkuar mbështetje nga deputetët për këtë Projektligj, duke theksuar rëndësinë e tij për pensionet e financuara nga shteti. Shefat e Grupeve Parlamentare kanë përgëzuar SBASHK-un për këtë iniciativë dhe janë shprehur të bindur se deputetët do ta mbështesin dhe do ta votojnë këtë nismë legjislative të rëndësishme për qytetarët.