Lajme

SBASHK: Rreth 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova për vitin shkollor 2023-2024!

03/07/2024 16:47
nga:Y I

“Rreth 600 mësimdhënës janë larguar nga Kosova në vitin shkollor 2023-2024”

Kështu deklaroi për “Gazeta Blic” nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala.

Shala tha se vetëm në vitin 2023, rreth 300 mësues, kanë bërë kërkesë për pushim pa pagesë në drejtoritë komunale, për t’u larguar jashtë vendit.

Ajo tha se pas liberalizimit të vizave ky numër është rritur, qoftë në mësimdhënës që kanë bërë kërkesë për pushim pa pagesë por ka edhe nga ata që janë larguar dhe nuk kanë bërë fare një kërkesë të tillë.

“Sipas informatave që i kemi nga kryetarët e Sindikatave të niveleve komunale, që në vitin 2023 diku rreth 300 mësues kanë bërë kërkesa në drejtoritë komunale të tyre për pushim pa pagesë dhe atë kryesisht e kanë kërkuar me qëllim që të largohen nga vendi ynë dhe të shkojnë në shtete të ndryshme të Evropës”

“Mirëpo pas liberalizimit të vizave, në vitin 2024, ky numër është rritur dhe atë qoftë në mësimdhënës të cilët kanë bërë kërkesa në drejtoritë komunale të arsimit në komunat e tyre por kemi edhe mësues të tillë që fare nuk kanë bërë kërkesa për pushim pa pagesë në drejtoritë komunale të arsimit, dhe janë larguar. Sipas informatave që ne i posedojmë ku numër ka arritur diku rreth 600 mësimdhënës për vitin shkollor 2023-2024” deklaroi Shala për “Gazeta Blic”.

Nënkryetarja e SBASHK ngriti alarmin duke thënë se nëse vazhdon ky trend, shkollat do të mbesin pa mësimdhënës.

“Nëse vazhdon ky trend në rritje, shkollat tona ka mundësi të mbesin fare pa mësimdhënës nga klasa e parë deri në klasën e pestë apo edhe nga klasa e pestë deri në të nënten që janë mësimdhënës lëndor e gjithashtu edhe në shkolat e mesme. Nëse  vazhdon një trend i tillë i ikjes së mësueve nga shkollat e Kosovës ka mundësi që shkollat tona do të mbesin pa mësues” deklaroi Shala në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”


Vjollca Shala, Nënkryetare e SBASHK

/Gazeta Blic/