Lajme

SBASHK proteston para Qeverisë me 1 maj/ Jasharaj shpalos kërkesat, kritikon Kurtin e Nagavcin: Po na refuzojnë për takim

04/17/2024 13:54
nga:G B

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se kjo sindikatë do të protestojë para qeverisë me 1 maj.

Ai ka thënë detaje për protestën, ku do të marrin pjesë edhe sindikata të tjera.

Jasharaj ka kritikuar qeverinë dhe ministren Nagavci për injorimin e kërkesave të tyre për takime dhe dialog.

“Qeveria Kurti në përgjithësi, e ministrja Nagavci në veçanti që nga greva nuk ka pranuar të takohet me ne dhe përkundër kërkesave që i kemi bërë. Ne i kemi bërë këto kërkesa në mënyrë që t’ia prezantojmë shqetësimet dhe kërkesat anëtarësisë sonë sepse SBASHK-u përfaqëson sektorin e arsimit që nga çerdhet e deri në universitet, mirëpo fatkeqësisht zonja Nagavci ka vazhduar të njëjtën shkollë siç e ka edhe vetë Kurti dhe nuk është takuar asnjëherë me ne për të debatuar për çështjet që na brengosin të gjithëve dhe në takimet që i kemi të rregullta me kryetarë të nivelit komunal, të universiteteve, që janë përfaqësues të anëtarësisë sonë, filluan të dalin me ide se duhet të bëjnë diçka në mungesë të dialogut në mënyrë që këto kërkesa tona, në pamundësi që t’i prezantojmë në adresa të duhura, së paku t’i prezantojmë para publikut, para mediave dhe para ndërtesës së Qeverisë dhe jemi në përgatitje për ta organizuar një protestë modeste me 1 maj”, shprehet kreu i SBASHK-ut.

Ai thotë se bashkë me ta me 1 maj do të protestojnë edhe sindikata e punëtorëve privat dhe ajo e infermierëve.

“1 maji quhet ditë e punëtorëve dhe jam i bindur që edhe në shtetet që i kanë punët në rregull do të ketë protesta, kështu që do të ketë edhe te na. Mirëpo, jemi në bisedime edhe me shoqata dhe sindikata që na kanë kontaktuar për të qenë pjesë e kësaj proteste, përfaqësues të infermierëve dhe mamive e po ashtu edhe sindikata e punëtorëve privat, z.Azemi, ka shprehur edhe ai dëshirën për të qenë në protestë”, thotë ai.

Jasharaj tregon se do të jetë një protestë simbolike, ku do t’i paraqesin kërkesat e tyre, teksa kritikon dhe ministrin Murati për ndërhyrjet që i ka bërë në ligjin për skemat pensionale.

“Ne do të dalim me një numër të kufizuar për t’u dhënë hapësirë edhe sindikatave tjera që t’i shfaqin kërkesat e tyre. Nuk presim ndonjë numër të madh pasi vetë organizimi është simbolik por do t’i kemi përfaqësuesit tanë, kryetarët nga shkollat, udhëheqës nga të gjitha nivelet dhe bashkërisht do t’i tregojmë opinionit se kemi kërkesa, se qeveria edhe ndryshimet e ligjeve që po i bën, në vend se të bëjë progres, po cenon të drejtat e punëtorëve, siç ishte rasti me skemat pensionale, ku qeveria, këtu meritat kryesore i ka ministri Hekuran Murati, i cili godet në nenin 8 pika 6 të ligjit bazik, duke e shlyer të drejtën e mohuar për vitet e 90-ta, të cilat vetë Parlamenti i ka njohur si kontributdhënëse dhe u ka mundësuar mësimdhënësve që ta marrin pensionin e plotë”, thekson ai për Gazeta Blic.

Kreu i SBASHK-ut thotë se kanë informacione se po ashtu qeveria po punon fshehtas edhe te kontrata individuale e punës.

“Ka tendenca dhe kemi informacione nga anash se po punohet tinëz edhe te kontrata individuale e punës. Kolegët tanë pas 1 viti e kanë kontratën e përhershme të punës. Kemi informata jozyrtare se ka tendenca që do të bëhet çmos që këto kontrata më të mos jenë të tilla me qëllimin e vetëm që të krijojnë stres dhe frikë te punëtorët e arsimit që ata mos ta ngritin zërin ngase dihet kontrata 1 vjeçare çdo vit ata mendojnë ta mbajnë nën presion mësimdhënësin se a do t’i jepet kontrata e radhës”, shton ai.

Jasharaj potencon se ka edhe kërkesa tjera, derisa ka shprehur pakënaqësi për koeficientin e ligjit të pagave.

“Ka edhe çështja tjera dhe një kërkesë është e të gjithëve në sektorin publik edhe policëve, zjarrfikësve, arsimit, doganave, është vërejtje e madhe te vlera e koeficientit. Ne kemi dërguar kërkesë që koeficienti të jetë 130, qeveria vendosi 110 euro, duke sjellë një ngritje ironike të pagës në arsim për vetëm 28 euro dhe kjo nuk mund të llogaritet ngritje. Ka edhe kërkesa tjera. Një kërkesë tjetër është ligji për sigurimet shëndetësore ngase u bënë goxha vjet që nga paslufta dhe punëtorët as në sektorin publik e as privat nuk kanë sigurim dhe kur sëmurën kanë telashe të mëdha pasi gati një pagë u shkon për t’u shëruar”, deklaron kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj./Gazeta Blic/