Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK), ka paralajmëruar grevë në muajin shtator.
Në një prononcim dhënë për GazetaBlic, kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë se paralajmërimi vjen si pasojë e mungesës së dialogut nga Qeveria Kurti për kërkesat e tyre.
“Ne kemi bërë si paralajmërim duke u nisur nga fakti që Qeveria Kurti po vazhdon me qasjen e gabuar ndaj sindikatave dhe dialogut. Ne nuk kemi dialog që nga greva e vitit 2022”, tha ai.
Sipas Jasharajt, njëra ndër kërkesat që është duke u përsëritur nga viti në vit e SBASHK, është mungesa e sigurimeve shëndetësore për mësimdhënësit.
“Kërkesat tona aktuale të cilat nuk janë duke u pranuar janë: të kemi kushte më të mira të punës, sepse shkollat tona t’i ngjajnë shkollave të shekullit 21. Vlera e koeficientit, mos të ngritët siç ishte ajo rritja ironike nga 105 në 110 euro, por të kemi një rritje së paku 30 % në këtë vlerë, sepse në pagat që tani kanë punëtorët e arsimit vështirë mund t’i përballojnë kërkesat e kësaj kohe. Një kërkesë që është duke u përsëritur me vite fatkeqësisht është mungesa për sigurime shëndetësore, ngase punëtorët në arsim dhe të tjerët, nëse sëmuren atëherë janë duke pasur telashe dhe një pagë është duke u shkuar punëtorëve të arsimit për shërim dhe sidomos po kemi telashe me pjesën të cilët janë më të moshuar dhe mosha e ka bërë të veten, por është kërkesë e cila besoj i përfshinë edhe Policinë e Kosovës dhe sektorët tjerë, duhet të kemi ligjin për sigurime shëndetësore i cili është në mungesë”, tha tutje Jashari.
Sa i përket teksteve shkollore për këtë vit shkollor, kryetari i SBASHK-ut potencoi se ka mungesë të komunikimit me ministren e arsimit, Arbërie Nagavci dhe sipas tij edhe këtë vit ajo do të vazhdojë vendimin e njëjtë për tekstet shkollore.
“Të kemi dialog për të gjitha çështjen e arsimit me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci. Qeveria Kurti vazhdon me qëndrimin negativ, ndaj vetë sindikatave dhe dialogut, duke mos pasur mundësi ku t’i shprehim këto kërkesat e anëtarësisë kam frikë që shtatori mund të na gjejë keq për grevë dhe vendimin që është duke e përsëritur zonja Nagavci lidhur me tekstet shkollore. Një gabim që është bërë vitin e kaluar, unë e kam pasur bindjen së bashku me kolegët e mi në sektorin e arsimit që Nagavci e ka parë që mënyra e vitit të kaluar të shpërndarjes së teksteve shkollore ishte e gabuar dhe ka krijuar telashe. Ne në mungesë komunikimit, nga mediat kemi parë se zonja Nagavci do të vazhdojë edhe këtë vit shkollor me të njëjtin vendim, duke i dërguar tekstet shkollore në librari e cila do të jetë telashe”, vazhdoi ai.
Jasharaj tutje paralajmëroi se nëse nuk realizohen kërkesat e SBASHK-ut ndaj Qeverisë do të ketë organizim të grevave.
“Nëse nuk realizohen kërkesat tona, shtatori i këtij viti shkollor do të jetë shumë problematik edhe me mungesë të teksteve shkollore edhe për greva. Pagat e mësimdhënësve t’ju them të vërtetën dikur shtetet e rajonit siç janë Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia, me sindikatat krenoheshim me pagat tona që ishin goxha të mira krahas me këto shtetet që i përmenda”, përfundoi kryetari i SBASSHK-ut, Rrahman Jasharaj./Gazeta Blic/