Ministria e Arsimit thotë se gjatë javës së ardhshme do të hapet mundësia për aplikim për mësimdhënësit që duan t’i nënshtrohen provimit kualifikues për t’u pajisur me licencë të avancuar.
Procesi i paraparë për muajin qershor pritet të nisë në muajin gusht.
“Grupi punues tashmë ka finalizuar Draft-manualin për licencimin e mësimdhënësve dhe në veçanti për licencën e avancuar. Këtë javë do të hapet faqja me të gjitha të dhënat për aplikim. Aplikimi do të bëhet në platformën e-Kosova. E gjithë kjo në funksion të një sistemi të qëndrueshëm të licencimit për mësimdhënësit”, ka thënë MASHT-i ”
Nga SBASHK-u po thonë se në këtë pikë pajtohen me ministrinë e Arsimit, por nënvizojnë se nuk do të lejojnë ketë testim të përgjithshëm të mësimdhënësve.
Në një prononcim dhënë për GazetaBlic, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka treguar për licensën e punës dhe licensën e avancuar për mësimdhënësit e cila është paraparë të ndodhë në muajin gusht nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
“Ne vazhdimisht kemi qenë kundër kur janë hapur idetë, që mësimdhënësit e Kosovës të testohen për njohuritë e tyre përmes ndonjë testimi të ashtuqujtur dhe pas reagimeve tona MASHT-i është pajtuar, d.m.th të punësuarit në sektorin e arsimit që duan të mbeten me licensën që e kanë të punës, as nuk janë testuar dhe as nuk do të testohen për njohuritë e tyre, sepse ato njohuri ata e kanë dëshmuar në universitet”, tha ai.
Sa i përket kalimit nga procesit të licensimit në proces të avancuar për mësimdhënësit, Jasharaj potencon se ky proces është vullnetar çdo mësimdhënës do të sfidohen me vendosjen e vet.
“Mirëpo, MASHT-i ka përgatitje të një udhëzimi dhe ka hapur rrugën për gradim të mësimdhënësve të Kosovës dhe ky proces është vullnetar, d.m.th punëtorët e sektorit të arsimit të Kosovës që e shohin veten të përgatitur për të kaluar nga licensa e punës në licensën e avancuar, duhet të sfidohen me kritere të cilat i ka paraparë MASHT-i për të kaluar nga licensa e punës në licensë tjetër që është licensa e avancuar dhe që sjell edhe një lëvizje në pagë dhe ky angazhim është vullnetar dhe secili nga anëtarët e arsimit do të vendosë vetë se a do të sfidohet me këto kritere”, tregoi kryetari i Sbashkut për GazetaBlic.
Sa i përkes testimit të mësimdhënësve, eksperti i arsimit Rinor Qehaja, në një prononcim dhënë për GazetaBlic, thekson se MASHT-i duhet të krijojë mekanizma të qëndrueshëm për vlerësim në lidhje me menaxhimin e performancës së mësimdhënësve.
“Testimi i mësimdhënësve nuk është prezantuar asnjëherë nga askush, dhe, mbi të gjitha nuk ka bazë ligjore, neve, kemi një legjilacion që e mirë’ përcakon vleresimin e perfomancës së mësimdhënësve, që është i shpërndarë në vlerësim: (1) të portofolios; (2) vet-vlerësim nga mësimdhnesi; (3) vleresim nga drejtori i shkollës; dhe (4) vleresim nga inspektorët”, potencon ai.
“Mësimdhënia është shumë më komplekse që të mund të vlerësohet me një instrument të vetëm. Është me rëndësi që MASHT-i të krijojë mekanizma të qëndrueshëm të vlerësimit dhe menaxhimit të perfomancës që nxisin për përkrahje dhe jo ndëshkim. Cilësia më e rritur në mësidhnënie është përgjegjësi e të gjithëve karshi nxënësve”, përfundoi eksperti i arsimit Rinor Qehaja për GazetaBlic.
/GazetaBlic/


